KRYEFAQJA » LAJME » Partizani B tërhiqet nga Kategoria e Parë
Partizani B tërhiqet nga Kategoria e Parë

Partizani B tërhiqet nga Kategoria e Parë

Partizani B hyn në histori pa e filluar fare rrugën e vet në kampionatin e Kategorisë së Parë për këtë sezon, pasi e braktis atë. Lajmi i dhënë nga Rubrika Sportive në RTSH në faqen e saj në Facebook se Partizani B është tërhequr nga kampionati tashmë është pohuar. Sipas kësaj faqeje, klubi i kuq ka dërguar në FSHF një shkresë zyrtare për tërheqje nga kampionati i Kategorisë së Parë. Edhe redaksia e newsport.al ka kërkuar sqarime rreth këtij njoftimi. Ata kanë kontaktuar me telefon me Drejtorin e Partizanit, Genci Tomori, i cili është shprehur shkurtimisht kështu: “Nuk dua të flas për këtë temë”.

Njoftimi i pohimit erdhi menjëhërë edhe nga faqja zyrtare që FK Partizani ka në Facebook. Në njoftim shkruhet: “Skuadra e dytë Partizani B nuk do të konkurojë në Kampionatin e Kategorisë se parë për sezonin 2016 – 2017. Klubi sqaron se, pasi vlerësuam me shumë seriozitet situatën e krijuar në një hark të limituar kohor prej vetëm tre ditësh, si dhe duke marrë në konsideratë organikën e lojtarëve të afruar, fazat përgatitore të zhvilluara, terrenet e liçensuara sportive në dispozicion, u arrit në konkluzion se niveli i konkurimit të ekipit Partizani B në kampionatin kombëtar të Kategorisë së Parë për sezonin aktual nuk do të ishte në lartësine e duhur. Për këtë vendim Klubi ka njoftuar zyrtarisht edhe Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke parashtruar argumentet e mësipërme, si dhe duke njoftuar përfundimisht pamundësinë e pjesëmarrjes së ekipit Partizani B në kampionatin kombëtar të Katëgorisë së Parë për sezonin futbollistik 2016-2017”.