KRYEFAQJA » LAJME » Partizani-Demi: Shpërblim 250.000 euro nëse kualifikohen
Partizani-Demi: Shpërblim 250.000 euro nëse kualifikohen

Partizani-Demi: Shpërblim 250.000 euro nëse kualifikohen

Të mërkurën, vëmendja e publikut futbolldashës, do të përqëndrohet tek ndeshja e kthimit, Ferencvarosh – Partizani, e vlefshme për turin e dytë paraeliminator të Ligës së Kampioneve. Të kuqë e kryeqytetit udhëtojnë drejt Hungarisë me qëllimin për të t’u kualifikuar. Ndeshja e parë, e luajtur në Elbasan Arena, të mërkurën e kaluar, është mbyllur në barazim 1-1. Ka qenë skuadra jonë që ka kaluar e para në avantazh me anë të Filit, por një pakujdesi e mbrojtjes së kuqe ka bërë që rezultati të barazohet në 1-1.

Loja e mirë e futbollistëve të drejtuar nga trajneri italian Adolfo Sormani, i ka bindur drejtuesit e klubit të kuq që të shpresojnë në një kualifikim. Në rast se kalojnë në turin tjetër presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, ka vendosur t’i shpërblejë lojtarët me 250 mijë euro. Klubi e ka një mundësi të tillë pasi deri tani, nga luajtja e dy ndeshjeve të para, Partizani ka fituar 300 mijë euro. Ndërsa ka përfituar edhe 150 mijë të tjera nga ndeshjet që luajti në Ligën e Europës me Sllovanin e Bratislavës.

Ndeshja Ferencvarosh – Partizani luhet me 20 korrik në stadiumin Groupama Arena në Budapest në orën 19:30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga rrjeti i Radiotelevizionit Shqiptar.