KRYEFAQJA » LAJME » Partizani -Skënderbeu, “ndeshje” edhe me deklarata
Partizani -Skënderbeu, "ndeshje" edhe me deklarata

Partizani -Skënderbeu, “ndeshje” edhe me deklarata

Takimi Partizani – Skenderbeu i fundjavës së kaluar në “Qemal Stafa”, më shumë se për rezultatin 2-1, duke se do të mbahet mend për një tjetër episod gati të rrallë në sportin shqiptar. Të dy ekipet kanë shkëmbyer deklarata me tone të larta.
Fillimisht ka qenë Klubi i Skënderbeut i cili ka pretenduar se goli i dytë, ishte në pozicion jashtë loje. “Goli ishte qartësisht pozicion jashtë loje dhe ndihmoi ekipin e kuq të fitonte ndeshjen” pretendohet në  deklaratë. Por më shumë deklarata e Skenderbeut shprehte pakënaqësinë ndaj medias dhe FSHF që sipas korçarëve  mbështet ekipin e kuq. “Kjo situatë është qartësisht një mbështetje për të zbritur ekipin tonë nga Froni nga media, disa “gazetarucë” dhe disa zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit të lidhur ngushtë me klubin e Partizanit, por është e pamundur t’ia dalin përpara “urisë” së kampionëve tanë për të fituar titullin kampion dhe për të dominuar çdo kundërshtar” shkruhet në deklaratë. Por Skenderbeu deklaron se “Pavarësisht luftës së hapur ndaj klubit tonë do ta keni të pamundur të na rezoni nga froni, do e kenë të pamundur të mposhtin ekipin më të mirë në historinë e futbollit Shqiptar”.
Por nga ana e tij klubi Partizani kërkon maturi. “Klubi Skënderbeu duhet të tregohet më serioz në deklaratat që përcjell dhe të mos përbaltë fitoren dhe emrin e madh të Partizanit. Mos pranimi i humbjes në fushën e lojës nga kundërshtarët është mungesë respekti “FAIR PLAY” nënvizohet në një deklaratë të klubit. Partizani ndërkohë shpreh habinë e tij ndaj reagimit të klubit korçar, pasi askush nga lojtarët nuk e ka protestuar qoftë edhe më një gjest në drejtim të arbitrit kryesor Jemini lidhur me golin që pretendohet se ishte jashtë loje.
Përplasja me deklarata mes Skenderbeut dhe Partizanit nga disa analistë sportive mund të sjelli një tensionim të zhvillimeve në kategorinë superiore të futbollit shqiptar. Të dy ekipet janë në krye të kampionatit, por Partizani udhëheq me një diferncë prej tre pikësh dhe një bilanc 7 fitore dhe 1 barazim në tetë javët e zhvilluara të kampionatit.