KRYEFAQJA » LAJME » Partizani-Skënderbeu, sonte direkt në RTSH (17:00)
partizani-skenderbeu

Partizani-Skënderbeu, sonte direkt në RTSH (17:00)

Në një përkim interesant të shortit të këtij sezoni, java e 9-të, që është edhe java e fundit e fazës së parë të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore, sjell edhe duelin më të rëndësishëm të sezonit, atë midis Skënderbeut kryesues dhe Partizanit të vendit të dytë. Aktualisht, vetëm dy pikë i ndajnë këto dy skuadra nga njëra-tjetra, me korçarët në krye, në kuotën e 19 pikëve, dhe me të kuqtë që ndajnë vendin e dytë dhe të 3-të me Kukësin, me të njëjtën kuotë pikësh, 17. Për më tepër, ky është një duel midis dy skuadrave që edhe sezonin e shkuar luftuan dhëmb për dhëmb për titullin “kampion”, që në fund i shkoi Skënderbeut, por që nuk mundi ta shijojë edhe aq atë, pasi, me vendim të UEFA-s, vendin e korçarëve në Ligën e Kampionëve të Evropës e mori Partizani. E gjithë kjo e bën sfidën e sotme, që, sikundër çdo takim i rëndësishëm i futbollit në vend do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 17:00, një duel të shumëpritur për futbolldashësit. Sfida e sotme shikon edhe një rikthim të trajnerit italian të Skënderbeut, Andrea Agostineli, përballë skuadrës që drejtoi vjet, Partizanit, e që tanimë drejtohet nga Sulejman Starova.Të dy trajnerët kanë në dispozicion 11-shen e tyre më të mirë për takimin që do të drejtohet nga gjyqtari Enea Jorgji, 32-vjeçari që e ka drejtuar edhe 5 herë të tjera këtë përballje në këto dy vitet e fundit, duke nxjerrë karton të kuq në 3 ndeshjet e fundit si dhe një numër të madh kartonësh të verdhë. Për shkak të mungesës së një stadiumi në kryeqytet, ky derbi i kreut do të luhet në “Elbasan Arena”.