KRYEFAQJA » LAJME » Partizani-Sllovan Bratisllava, sonte (18:00) në RTSH
Partizani-Sllovan Bratisllava, sonte (18:00) në RTSH

Partizani-Sllovan Bratisllava, sonte (18:00) në RTSH

Nënkampionia e Shqipërisë, Partizani, do të zbresë sonte në fushën e blertë të stadiumit “Elbasan Arena”, në takimin e vlefshëm për turin të parë eliminator të Ligës së Evropës. Të kuqtë kryeqytetas do të kenë përballë nënkampionen e Sllovakisë, Sllovanin e Bratisllavës, që drejtohet nga trajneri qipriot, Niki Papavasiliu. Duke folur për mediat para ndeshjes, Papavasiliu ka pohuar se ka kujtime të këndshme nga stadiumi i Elbasanit, pasi në vitin 1989 ka luajtur me OFI Kretë për Kupën Ballkanike. “Ne barazuam në atë takim në shifrat 1-1 dhe në fund kaluam në finale, të cilën e fituam”, – ka thënë ai, duke vijuar: “Pra, kam kujtime të këndshme nga Shqipëria si lojtar dhe do të jem i kënaqur edhe tani nëse e përsëris atë sukses duke fituar si trajner.” Megjithatë, trajneri i Sllovan Bratisllavës e shikon të vështirë takimin e parë, duke e vlerësuar Partizanin si një kundërshtar të vështirë. Nga ana tjetër, sipas drejtuesve të Partizanit, Sllovan Bratisllava është një kundërshtar i fortë, por jo i pakalueshëm. Për arsye të prishjes së Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, ndeshja e sotme do të luhet në Elbasan. Megjithatë, për trajnerin e përkohshëm, Sulejman Starova, zhvendosja e ndeshjes nga kryeqyteti në Elbasan nuk pritet të ndikojë tek tifozeria. Takimi midis Partizanit dhe Sllovan Bratisllavës, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.