KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Partneriteti Trans-Paqësor, Merkeli e pakënaqur nga Trampi
Partneriteti Trans-Paqësor, Merkeli e pakënaqur nga Trampi

Partneriteti Trans-Paqësor, Merkeli e pakënaqur nga Trampi

Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu pakënaqësinë për dështimin e mundshëm të marrëveshjes për Partneritetin Trans-Paqësor, pasi presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump përsëriti se do që të tërhiqet prej saj. Në një fjalim para parlamentit, ajo tha se Gjermania duhet të rrisë shpenzimet për mbrojtjen dhe dënoi sulmet ndaj spitaleve në Siri. Zonja Merkel nuk e përmendi zotin Trump me emër në fjalimin e saj, por e bëri shumë të qartë pakënaqësinë e saj ndaj qëndrimit të tij për pakte të rëndësishme tregëtare. Kancelarja gjermane foli edhe për nevojën e rritjes së buxhetit të mbrojtjes së Gjermanisë, duke thënë se duhet të jetë afro 2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, megjithëse e pranoi se një synim i tillë mund të mos realizohet në të ardhmen e afërt. Merkel shprehu gjithashtu shqetësimin për gjendjen në Siri, duke kritikuar ashpër sulmet ndaj spitaleve dhe qëndrimin e Rusisë. Duke folur për Turqinë, kancelarja gjermane Merkel tha se ishte e rëndësishme që të mbahen të hapura kanalet e komunikimit, por se kjo nuk duhet të jetë një pengesë për të kritikuar ngjarjet “alarmuese” në vend, duke përmendur kufizimet e lirisë së shtypit dhe arrestimet e mijëra vetëve.