KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Pas heqjes së sanksioneve, dyndje e turistëve rusë në Turqi

Pas heqjes së sanksioneve, dyndje e turistëve rusë në Turqi

Pas heqjes së sanksioneve turistike nga Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, rusët u dyndën drejt agjencive turistike, kurse shoqëritë ajrore ruse nuk përballojnë dot fluksin e kërkesave. Me qëllim përballimin e kërkesave firmat e udhëtimeve u kanë bërë thirrje autoriteteve për të rritur numrin e fluturimeve ‘charter’. Ndërsa turistët dhe agjencitë turistike kërkojnë organizimin me shpejtësi të fluturimeve ‘charter’, kompanitë ajrore turke kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur me avionë firmat ajrore ruse. “Për momentin po kalojmë ditët më të ngjeshura në transportin e udhëtarëve. Po punojmë për të bërë ndryshime në fluturimet ‘charter’ me qëllim për të dërguar pasagjerët në Turqi”, thotë zv.ministri i Transportit të Rusisë, Valeri Okulov. Kurse disa shoqëri ajrore ruse për shkak të numrit të ulët të pasagjerëve kanë anuluar fluturimet me destinacion Greqinë dhe Qipron. Mësohet se shoqëritë ajrore në fjalë punojnë për t’i orientuar këta avionë drejt Turqisë. Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil bëri të ditur se fluturimet ‘charter’ nga Rusia drejt Turqisë kanë filluar sot. Fluturimet ‘charter’ ndërmjet dy vendeve ishin ndërprerë në 1 dhjetor 2015 pas krizës së avionit me Rusinë.