KRYEFAQJA » LAJME » Pas kritikave të Lu, Basha këmbëngul: Pa rekomandimin 88 nuk ka Reformë në Drejtësi
Pas kritikave të Lu, Basha këmbëngul: Pa rekomandimin 88 nuk ka Reformë në Drejtësi

Pas kritikave të Lu, Basha këmbëngul: Pa rekomandimin 88 nuk ka Reformë në Drejtësi

Ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon presionin ndaj politikës shqiptare, veçanërisht opozitës për miratimin e Reformës në Drejtësi, kreu i PD Lulzim Basha shprehet i vendosur se “Pa materializimin në paketën e ndryshimeve Kushtetuese të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, për të katër institucionet njeherazi, nuk ka e nuk do të ketë votë opozitare për Reformën në Drejtësi”. Deklaratën e tij zoti Basha e bëri një ditë pasi ambasadori amerikan Donald Lu tha se kreu i opozitës gjithnjë ka gjetur diçka për të refuzuar. Në fakt deklarata e tij më shumë se ndaj zotit Lu, duket se i drejtohet kundërshtarit të tij politik kryeministrit Edi Rama. “Kam marrë propozime, por kanë qënë e njëjta prerje, në shmangie të rekomandimit 88 të Venecias, veçse me veshje të ndryshuar. Ndryshe nga ç’pretendohet nuk kanë qënë të arsyeshme. Nuk ka si të jetë i arsyeshëm asnjë propozim që ndërsa me një dorë jep 3/5 apo 2/3-tat e votimit në Kuvend me dorën tjetër e zhbën këtë kuorum përmes një mekanizimi që i jep qeverisë kontrollin e hartimit te listave duke përjashtuar opozitën tërësisht nga çdo rol” shkruan zoti Basha. Kreu i PD bën të ditur se është në komunikim me ndërkombëtarët, që sipas tij i kanë dërguar qeverisë mesazhe për një Reformë në Drejtësi me konsensus dhe jo përmes trafikut të votave. “Kam qënë dhe jam në komunikim intensiv, edhe këto ditë, me faktorët relevantë në Washington, Bruksel, Berlin, Paris, Romë dhe Londër. Qeverisë i kanë ardhur mesazhe të qarta që të harrojë shantazhin dhe trafikun e votave, të kërkojë e japë konsensus. Sepse kjo është e vetmja mënyre për një reformë të qëndrueshme në drejtësi që i shërben qytetarëve dhe jo pushtetit. Kush ka veshë le t’i dëgjojë” shkruan kreu i PD Lulzim Basha.
Pas kësaj deklarate ka reaguar menjëherë kyeminsitri Edi Rama “Hallin se unë do kap drejtësinë qaje me SHBA dhe BE se edhe ata mendojnë që kjo është një përrallë me gogol kundër reformës!” shkruan ai.