KRYEFAQJA » LAJME » Pas SHBA, Rama takon Metën
Rama takohet me Metën

Pas SHBA, Rama takon Metën

I sapo kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së OKB, kryeministri Edi Rama takimin e parë e ka zhvilluar me kreun e kuvendit Ilir Meta. Takimi është zhvilluar në zyrat e kryesisë së kuvendit dhe ka zgjatur rreth 90 minuta. Zoti Rama ka hyrë duke buzëqeshur, e po ashtu ka dalë nga takimi. Interesit të gazetarëve të shumtë ai u është përgjigjur me urimin për një fundjavë të qetë.
Takimi Rama- Meta vjen kur zhvillimet politike në vend janë tensionuar pas ridaljes në skenë të  “Çështjes ÇEZ”. Në fokus është vënë kreu i parlamentit Meta si i përfshirë në një aferë korrupsioni. Por opozita thotë gjithashtu se përfitues nga kjo aferë ëshë dhe vetë kryeministri Rama dhe se shifra që kanë humbur shqiptarët shkon në 800 milionë euro. Ajo kërkoi një hetim ndërkombëtar për “Çështjes ÇEZ”. Ndërsa zoti Meta mbështet kërkesën e PD për një hetim ndërkombëtar, kryeministri Rama tha se kjo çështje nuk egziston.
Javën e kaluar pas një debati disa orësh në parlamentin shqiptar kërkesa e Partisë Demokratike për të futur në punimet e tij me proçedurë të përshpejtuar projektligjin për hetimin ndërkombëtar të “Çështjes ÇEZ”, nuk u miratua. Ajo çka tërhoqi vemendjen ishte rezultati i votimit. Ai u fiksua në shifrat 54 vota kundër, 50 pro dhe 12 abstenim. Ra në sy votimi pro kërkesës së opozitë i një pjese të grupit parlamentar të LSI, përfshirë vetë zotin Meta. Por habia më e madhe ishte abstenimi i ish kryeministrit Berisha dhe i disa deputetëve demokratë. Nëse ata do të kishin mbështetur kërkesën e tyre me votë, rezultati do të ishte pozitiv për opozitën.
Takimi i së shtunës Rama – Meta shihet gjithashtu në konteksin e marrëdhënieve mes dy partive kryesore të koalicionit qeveritar. Ka disa kohë që flitet për një ftohje, madje tensionim në marrëdhëniet mes krerëve të koalicionit, por në deklaratat e tyre kjo është mohuar. Zyrtarët e lartë të dy partive kanë deklaruar edhe së fundi, se  koalicioni nuk ka problem dhe se gjithshka fuksionon normalisht. Megjithatë politikanë të opozitës dhe më së shumti analistë të medias nuk binden se kjo është e vërtetë. Disa media kanë hedhur idenë e nisjes së një bashkëpunimi PS-PD. Ka patur madje spekulime për një takimi mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha, por ky i fundit e ka mohuar kategorikisht.