KRYEFAQJA » LAJME » Pas vijës fatale të portës, bota e futbollit bën një tjetër lëshim historik
Pas vijës fatale të portës, bota e futbollit bën një tjetër lëshim historik

Pas vijës fatale të portës, bota e futbollit bën një tjetër lëshim historik

Blater dhe Platini tashmë janë tretur në horizontin e futbollit dhe bashkë me ta, edhe qëndresa për t’i bërë ballë teknologjisë në fushat e futbollit. Bordi i Federatave të Futbollit (IFAB) vendosi që sistemi i ri teknologjik i përsëritjes së rasteve të diskutueshme në fushat e futbollit të testohet fillimisht për një periudhë 2-vjeçare duke nisur që nga sezoni 2017-2018, ndërkohë që mësohet se veprimtaria i parë që do të ketë në fushë përdorimin e pamjeve filmike për çdo episod të dyshimtë që lind gjatë një ndeshjeje futbolli do të jetë pikërisht Evropiani i vitit 2020. Kjo teknologji do të përdoret në rastet e golave, faulleve, pozicioneve jashtë loje, në rastet e kartonëve të kuq dhe akordimit të 11-metërshave, por në fund vendimin përfundimtar do ta marrë gjyqtari. Vendimi për të lejuar përdorimin e pamjeve filmike në fushën e lojës për çdo episod të dyshimtë u mirëprit nga Presidenti i ri i FIFA, Xhani Infantino. Ai ka theksuar se, përtej të qenit në favor të mbrojtjes së traditës, futbolli nuk mund ta injorojë zhvillimin teknologjik dhe ky është një eksperiment që mund t’ia vlejë. Është ndryshuar gjithashtu edhe rregulli i kartonit të kuq automatik për lojtarin e fundit ose portierin që shkakton 11-metërsh, ndërsa i është hapur drita jeshile edhe eksperimentimit me zëvendësimin e katërt, nëse një ndeshje shkon në kohë shtesë.