KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Patentat, mjet i rëndësishëm në tërheqjen e investime të huaja
ekonomi

Patentat, mjet i rëndësishëm në tërheqjen e investime të huaja

Organizata evropiane e patentave ka zgjedhur Shqipërinë për të zhvilluar takimin vjetor të rradhës me 38 vendet anëtare. Në prag të këtij takimi dy-ditor në Tirane, presidenti i zyrës europiane të patentave, Benoit Battistelli vlerësoi bashkëpunimin 5-vjeçar me vendin tonë, duke shtuar se duhet rritur më tej ndërgjegjësimi për pronësinë intelektuale.

“Patentat janë një mjet i rëndësishëm për të tërhequr investime të huaja në Shqipëri dhe për të lehtësuar transferimin e teknologjisë në vendin tuaj. Është e rëndësishme që të rritet ndërgjegjësimi ndërmjet SME-ve dhe universiteteve në Shqipëri, mbi rëndësinë e mbrojtjes ligjore të shpikjeve të tyre. “Sistemi evropian i patentave vepron si një burim parësor i informacionit teknik në Shqipëri. Të gjitha aplikimet për patenta që mbërrijnë në ZEP publikohen automatikisht këtu, dhe mund të konsultohen nga çdokush. Ato ofrojnë informacion origjinal për progresin në të gjitha teknologjitë. Një numër i konsiderueshëm i këtyre aplikimeve bëhen, gjithashtu, patenta të vlefshme në Shqipëri, duke mbështetur rrjedhën e inovacioneve të reja në shtetin tuaj. EPO ofron për shpikësit shqiptarë një portë tërheqëse dhe me kosto efikase për tregun evropian, duke ofruar një pikë të vetme aksesi për mbrojtjen e patentave në shtetet e saj anëtare”, shprehet Battistelli.
Në konferencën për shtyp, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi tha se qeveria do të miratojë së shpejti Strategjinë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale.
“Strategjia kombëtare e Pronësisë Intelektuale 2016-2020, që shumë shpejt do të kalojë edhe në qeveri për miratim, i ka kushtuar rëndësi të veçantë nxitjes së inovacionit, ndër të tjera, nëpërmjet ngritjes së qendrave të transferimit të teknologjisë pranë universiteteve apo organizmave shkencore të zhvillimit që do të shërbejnë si ura lidhëse të dobishme të kërkesës me ofertën në rastet e shpikjeve teknike ndërmjet bizneseve, qendrave kërkimore në universitete, duke krijuar tregun e shitjes dhe blerjes së patentave”, deklaroi Ekonomi. Sipas saj, bizneset shqiptare të mund të përfitojnë nga të gjitha mundësitë që ofron Organizata Evropiane e Patentave,” tha Ekonomi.
Shqipëria iu bashkua Organizatës Evropiane të Patentave më 1 maj 2010.