KRYEFAQJA » LAJME » Pavarësia e Kosovës, festa dhe protesta
pavaresia kosoves kosove 2016 parada ushtarake protesta nga opozita

Pavarësia e Kosovës, festa dhe protesta

Kosova, shteti më i ri i Europës ka mbushur më 17 shkurt 8 vjet nga shpallja e pavarësisë dhe e sovranitetit të saj. Përkujtimi i kësaj ngjarjeje historike është bërë mes një përçarjeje si asnjëherë më parë mes forcave politike. Qeveria e PDK dhe LDK, është sulmuar ashpër nga AAK, Vetvendosje dhe Nisma, pas dy marrëveshjeve qeveritare, asaj të krijimit të komunave serbe dhe kufirit me Malin e Zi. Opozita thotë se ato bien në kundërshtim me interesat e Kosovës, ndërsa qeveria  deklaron të kundërtën. Situata është acaruar ndjeshëm. Që prej disa muajsh puna e parlamentit është bllokuar nga aksionet e dhunshme të opozitës, të cilat kanë shqetësuar komunitetin ndërkombëtar dhe veçmas SHBA.
Në këtë atmosferë qeveria përkujton me një cermoni solemne festën e pavarësisë, ndërsa opozita po zhvillon një protestë.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga bëri apel për dialog për të zëvendësuar moskuptimin. ”Sot është festë për të gjithë. Na duhet më shumë punë për të treguar se të tashmen e ndryshojmë vetë por jo me dhunë e me forcë. Jo më fuqinë e grushtit që sjell dhimbje e rrënim, sfidon institucionet e shtetit, jo me mohimin e asaj që kemi krijuar deri sot dhe asesi me testimin e partneritetit tonë me faktorin ndërkombëtar” tha zonja Jahjaga.
Ndërsa kryeministri Isa Mustafa në fjalën e tij theksoi se “Jemi të lumtur se Pavarësia e Kosovës është realitet të cilin e kanë pranuar miqtë e 111 vendeve, pjesë e të cilave janë vendet më të fuqishme, më demokratike e më të zhvilluara të globit. Jemi krenarë që Republika e Kosovës është shtet i gjithë qytetarëve të saj, shtet i vlerave dhe përkushtimit të tyre , sukeses i përbashkët i kosovarëve dhe aleatëve të tyre”.
Nga ana e saj opozita kosovare ka nisur protestën e paralajmëruar kundër qeverisë. Përkarhësit e saj janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë. Ata mbajnë në duar flamuj të shumtë kuq e zi. Në protestë janë të pranishëm kryetarët e partive opozitare të Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kreu i Nisma-s, Fatmir Limaj.
Ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, frymëzuesi kryesor i aksionit opozitar tha se “sot ka filluar pranvera në Kosovë” ç’ka është fillimi i fundit i qeverisë Thaçi-Mustafa. Ndërsa krerët e partive të opozitës ftuan qytetarët që të bashkohen në protestën gjithëpopullore për mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës për qetësi dhe maturi.