KRYEFAQJA » LAJME » Pavarësia e Kosovës, presidenti Obama uron presidenten Jahjaga
SHBA uron Kosovën për pavarësinë

Pavarësia e Kosovës, presidenti Obama uron presidenten Jahjaga

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, i dërgoi një mesazh urimi Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rasit e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin pa u lëkundur popullin e Kosovës për krijimin e një demokracie vibrante dhe shumetnike. E ardhmja e Kosovës sovrane është shtet partner i integruar plotësisht në skenën ndërkombëtare. Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm drejt këtij qëllimi të përbashkët, në veçanti me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian” shkruan në urimin e tij presidenti Obamas.
Presidenti amerikan shprehet se “Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Kosovën për përparimin që po bën në arritjen e marrëveshjeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kosova gjithashtu ka demonstruar përkushtim për sundim të ligjit duke i hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale për të adresuar pretendimet për krime lufte. Këto hapa po avancojnë sovranitetin e Kosovës dhe po e inkurajojnë një Ballkan më të sigurt dhe më të qëndrueshëm”.
“Në vitet e ardhshme na presin shtigje të reja të bashkëpunimit në marrëdhëniet tona bilaterale, përfshirë edhe përmes programit Kompakt mes Kosovës dhe Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC). Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i fuqishëm i atyre që duan në Kosovë një të ardhme paqësore, demokratike dhe prosperuese për vendin e tyre”, përfundon urimin presidenti amerikan Obama drejtuar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rasit e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.