KRYEFAQJA » LAJME » PD: “Beqaj kampion i korrupsionit”, ministri: “Baltë nga ata që nuk duan reformën”
PD: "Beqaj kampion i korrupsionit", ministri: "Baltë nga ata që nuk duan reformën"

PD: “Beqaj kampion i korrupsionit”, ministri: “Baltë nga ata që nuk duan reformën”

Ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj është sulmuar sërisht ashpër nga Partia Demokratike. Akuzat e saj ndaj tij, si edhe më parë janë për përfshirje në afera korruptive. Madje PD nëpërmjet deputetes së saj Jorida Tabaku e konsideron ministrin si kampion të korrupsionit, pasi në 22 muaj ka marrë 28 tendera për kompaninë e tij. Në një deklaratë për mediat, zonja Tabaku tha se “kompania modeste e cila përpara vitit 2013 deklaronte shitje në vlerën 63.160.011 dhe Fitim Neto 8.892.074 lekë, dy vjet pasi themeluesi i saj, Ilir Beqaj ka marrë postin e ministrit, ajo është shumëfishuar, ka arritur vlerën e shitjes në 160.760.830 lekë duke rritur Fitimin Neto në 42.783.998 lekë”. Sipas saj “në vitin e dytë të qeverisjes, shqiptarët janë të zhgënjyer nga premtimi i pambajtur për shëndetësi falas, por Beqja i Edi Ramës është i lumtur pasi Intech+ po merr para pa fund nga shteti nga institucionet, nga çdo zyrë e publike”. “Ky korrupsion, kjo zhvatje e parave të shqiptarëve duhet ndalur, dhe abuzuesit duhet të përgjigjen para ligjit. Bashkë me qytetarët, do ti ndalim, e do vëmë ligjin mbi vjedhjen, ligjin mbi korrupsionin” premton deputetja Tabaku në emër të PD
Por në një konferencë për shtyp, ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj tha se “Balta që hidhet ndaj meje vjen nga interesat e shkelura të atyre që nuk e duan reformën në shëndetësi, por reforma do vazhdojë. Pjesë e kësaj baltosje u bë  kompania kompjuterike që e kam themeluar në shtator 2013. Ditën që u betova si ministër hoqa dorë nga aksionet. Nuk ia kam falur ndonjë të afërmi, por ja shita bashkëthemeluesit tim dhe nuk kam më lidhje me të” deklaroi ai.  Por zoti Beqaj nuk sqaroi se vërtetë kompania në fjalë ka fituar në 22 muaj 28 tendera të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë.