KRYEFAQJA » LAJME » PD : Betejë për shtetin ligjor!, PS: Dëshmoni me vepra respektin ndaj ligjit!
PD : Betejë për shtetin ligjor!, PS: Dëshmoni me vepra respektin ndaj ligjit!

PD : Betejë për shtetin ligjor!, PS: Dëshmoni me vepra respektin ndaj ligjit!

Partia Demokratike në opozitë ka vendosur të ngrejë në një nivel të ri protestat e saj kundër qeverisë  së majtë të kryeministrit Rama. Tashmë nuk bëhet më fjalë vetëm për protestat për këndin e lojrave tek Parkun e Liqenit Artificial, por për atë që opozita e quan “beteja për shtetin ligjor”. “Reagimi i PD kundër tiranisë deri në mosbindje civile. Beteja jonë jo vetëm për një park, por për shtetin ligjor” mësohet të ketë thënë kreu i demokratëve Lulzim Basha në mbledhjen e kryesisë dhe grupin parlamentar, të mbledhur të hënën pas dite.
Nga ana e saj maxhoranca, ka vënë veç të tjerash në shënjestër, deputetin demokrat Gent Strazimiri, i cili shpesh ka qenë protagonist i konflikteve të bujshme, madje edhe të dhunshme mes të majtës dhe të djathtës. Botimi sot në media i një fotoje ku ai duket se ka qenë në protestë me armë, e ka shtyrë maxhorancën të kërkojë dënimin e tij për armëmbajtje pa leje. “Kujtoj që kjo vepër penale është një vepër e përfshirë në Ligjin për Dekriminalizimin. Është rasti që PD të dëshmojë me vepra dhe jo me fjalë respektin ndaj ligjit” tha me këtë rast deputeti socialist Taulant Balla.
Vetë deputeti demokrat tha se “Arma e Gent Strazimirit nuk mbahet në brez! Arma e vetme e Gent Strazimirit, është dhe do të jetë ajo që ka qenë gjithmonë: denoncimi e përballja pa kompromis me këtë bandë kriminale që po sundon me urdhra kriminelësh e jo me ligje!”.
Zhvillimet e ditëve të fundit, veçanërisht ato të ditës së hënë, kanë thelluar më tej hendekun mes maxhorancës dhe opozitës dhe duket se bashkëpunimi i tyre për reformën në drejtësi do të pësojë për momentin një ndëprerje.