KRYEFAQJA » LAJME » PD kërkon dorëheqjen e Metës dhe Tahirit
Dekriminalizimi, PD radikalizon qendrimin

PD kërkon dorëheqjen e Metës dhe Tahirit

Disa zhvillime të ditëve të fundit, duket se kanë shtyrë PD, më e madhja e opozitës së djathtë në Shqipëri, të rishikojë qëndrimet e saj. Të shtunën pas një mbledhjeje të kryesisë së PD-së, kreu i partisë Lulzim Basha paralajmëroi nisjen e një aksioni të ri opozitar. Në qendër të tij janë kërkesa për dorëheqje e dy prej figurave kryesore të maxhorancës, kreut të parlamentit Ilir Meta dhe ministrit të rendit Saimir Tahiri.  “Kryesia miratoi me votë qëndrimet të cilat opozita, PD do të ndjekë duke nisur nga dita e nesërme, duke konfirmuar kërkesën tonë për dorëheqjen e Metës dhe hetimin  tij të menjëhershëm për aferën korruptive me CEZ, largimin e menjëhershëm të Tahirit dhe marrjen e tij të pandehur nga akuza, si koka e bandave në jug” tha zoti Basha. PD e cila një ditë më parë paraqiti projektligjin për dekriminalizimin, ka bërë të ditur gjithashtu se do të këmbënguli që renda  brenda shtatorit ky ligj të miratohet. “PD është e vendosur t’i shkojë deri në fund kësaj beteje. Ne kemi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për kurorëzimin me sukses të kësaj beteje. PD nuk do të bëhet pjesë e asnjë konjukture që për përfitim politik ta vendosë këtë çështje madhore për shqiptarët në pazaret e ndyra të politikës” tha zoti Basha.
Edhe një herë kreu i opozitës përmendi çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke u zotuar se PD do t’ua kthejë besimin shqiptarëve pas shkeljeve dhe dhunimit të standardeve në votimet për pushtetin lokal më 21 qershor të këtij viti.