KRYEFAQJA » LAJME » PD kërkon referendum për plehërat
PD kërkon referendum për plehërat

PD kërkon referendum për plehërat

E cilësuar si “Çështja e plehërave” ka njohur të enjten një zhvillim të ri. Partia Demokratike, më e madhja e opozitës, i ka kërkuar zyrtarisht parlamentit që të vendosi mbi mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm mbi çështjen e importit të mbetjeve. Kërkesa është bërë nga kreu i gruipit parlamentar demokrat Edi Paloka, i cili tha se kërkesa duhet të futet në rendin e ditës dhe të votohet nga Parlamenti. Sipas zotit Paloka lejimi i importit të grupeve të caktuara të mbetjeve në territorin e Shqipërisë cënon interesin e brezave të sotëm dhe të ardhshëm, krijon premisë të qartë të shfrytëzimit të këtij aktiviteti nga grupet kriminale ndërkombëtare të importimit të mbetjeve të rrezikshme. Kreu i grupit parlamentar demokrat ka kujtuar ndërkohë se opinioni publik është shprehur në mënyrë masive kundër importit të mbetjeve. “Këtë e tregon mbledhja e rreth 64 mijë firmave në kuadër të kërkesës për zhvillimin e një referendumi për këtë çështje. Kjo kërkesë është konsideruar e ligjshme. Në kushtet kur ligjvënësi ndaloi me ligj importin e mbetjeve, atëherë referendumi nuk është zhvilluar” tha zoti Paloka. Sipas opozitës “…ligjvënësi duhet të udhëhiqet nga vullneti popullor i një çështjeje që ka qenë objekt i një kërkese të miratuar për referendum. Çështja e mbetjeve nuk është më në vullnetin e Kuvendit apo qeverisë, por në vullnetin e qytetarëve të Shqipërisë. Mbi këtë çështje duhet të vendosë vetëm populli” tha kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka.