KRYEFAQJA » LAJME » PD kujton 25 vjetorin e grevës së urisë në UT
PD kujton 25 vjetorin e grevës së urisë në UT

PD kujton 25 vjetorin e grevës së urisë në UT

PD, më e madhja e opozitës së djathtë në Shqipëri, ka përkujtuar 25 vjetori i grevës së urisë së studentëve në Universitetin e Tiranës, e cila shënoi nisjen e rënies së regjimit komunist në Shqipëri si dhe fillimin e proceseve demokratike. Në ish kinoklubin “Studenti” protagonistë të kohës sollën kujtimet e tyre, por nuk munguan dhe këndvështrimet e ndryshme. “De-Enverizimi’ ishte sfida jonë më e madhe në atë kohë. Greva e studentëve në 27 shkurt filloi në Kamëz dhe në atë kohë nuk mungoi terrori dhe ekzekutimet nga shteti komunist. Ligësia e atij pushteti nuk kurseu as studentët, të cilët ishin heronj të vërtetë” tha lideri historik i PD, Sali Berisha. Por për ish-studentin grevist, Mark Marku, reagimi i studentëve ishte si pasojë e mashtrimit të madh që po u bëhej dhe sipas tij një situatë e tillë po përsëritet edhe sot. “Veprimi i studentëve ka qënë një veprim shumë sportiv, nuk është ndonjë kosto e madhe që të veprosh, që të reagosh dhe që të kërkosh ndryshim. Thjesht bëhet, siç e kanë bërë studentët në Europë në vitet ’68, siç e kanë bërë studentët gjithandej, kanë dalë dhe kanë thënë: Më mirë të puthemi se të luftojmë” tha Marku.
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, e cilësoi grevën e urisë si një akt historik akt i cili është i nevojshëm edhe sot. “Sot, pas 25 vitesh, koha dhe sfidat e Shqipërisë po i thërrasin sërish në skenë studentët dhe grevat. Unë jam i sigurt që rinia shqiptare nuk do të zhgënjejë, por do të ngrihet përsëri për liri dhe demokraci” tha zoti Basha.