KRYEFAQJA » LAJME » PD, mbledhje grupi për rezultatin e zgjedhjeve në Dibër
grupi parlamentar i pd, humbje e zgjedhjeve ne diber, diskutime, sheferedin shehu, blerja e votes

PD, mbledhje grupi për rezultatin e zgjedhjeve në Dibër

E para mbledhje grupi që pasoi humbjen e zgjedhjeve në Dibër, mësohet të jetë shoqëruar nga debate të ngritura mbi shkaqet e këtij rezulati. Burime brenda mbledhjes, bënë të njohur se figurat më me peshë në PD, kanë adresuar humbjen më së shumti tek problemet në organizimin e opozitës.

Mësohet se deputeti Eduart Selami, është shprehur kritik për zgjedhjen e kandidaturës së Sherefedin Shehut, që sipas tij nuk ka qënë zgjedhje e Këshillit Kombëtar.

Deputeti Selami mësohet të ketë kërkuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të analizuar zgjedhjet dhe rrugën që po ndjek PD, pasi siç është shprehur ka pësuar një sërë disfatash që nuk janë pasuar me asnjë analizë serioze.

Njësoj kritike mësohet të ketë qënë edhe deputetja Majlinda Bregu e cila është shprehur se PD nuk duhet t’u largohet përgjegjësive për humbjen e zgjedhjeve në Dibër.

Bregu ka cilësuar ‘ fatalizem’ justifikimin e humbjes me blerjen e votave.

Shumë prej deputetëve demokratë mësohet të jenë shprehur gjithashtu kritikë për aleancat e PD , duke i cilësuar madje ato, si qesharake.

Përballë këtyre kritikave, kreu demokrat Lulzim Basha, është shprehur për nevojën e një analize të thellë e të ftohtë.

Më herët, gjatë ditës, në një komunikim me mediat deputetja demokrate, Jorida Tabaku ia adresoi humbjen e zgjedhjeve në Diber, fenomenit të blerjes së votës. Ndërkohë që po kësaj i mëshoi edhe vete kandidati Shehu, në një letër drejtuar zgjedhësve dibranë.