KRYEFAQJA » LAJME » PD në opozitë lajmëron bllokimin e parlamentit
PD në opozitë lajmëron bllokimin e parlamentit

PD në opozitë lajmëron bllokimin e parlamentit

Opozita ka paralajmëruar bllokimin e seancave plenare deri në miratimin e akteve nënligjore të dekriminalizimit të propozuar prej saj, si dhe dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të deputetëve që ajo thotë se kanë shkelur kushtetutën duke perfituar fonde publike. Radikalizimi i situatës është lajmëruar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat. Zoti Basha akuzoi me këtë rast kundërshtarin e tij kryeministrin Rama se po tenton të pengojë dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi. “Nesër është edhe afati i fundit për të kaluar aktin e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Nëse Edi Rama prapë refuzon të pezullojë ligjërisht, jo vullnetarisht, Armando Prengën, nëse Edi Rama dhe të tijët refuzojnë t’ia dorëzojnë Gjykatës Kushtetuese të drejtën që vetë Kushtetuta dhe Gjykata e aserton për të gjykuar mbi mandatet e 3 deputetëve që kanë përfituar miliona pasuri publike të shqiptarëve, Koço Kokëdhimës, Rakip Sulit dhe Valentina Leskajt, nëse Edi Rama refuzon ti japë fund përpjekjes së tij mjerane për të ndalur të pamundurën, transparencën për çështjet ku kemi hetim parlamentar siç janë ato të serverit të tatimeve dhe të emërimeve dhe shkarkimeve në administratë, edhe njëherë zgjedhja është e Edi Ramës por me aktet e sotme Edi Rama duket se e ka bërë zgjedhjen” tha zoti Basha.
Sipas kreut të PD dhe partisë së tij, situata në vend është e rëndë dhe përgjegjës për këtë është Edi Rama. “Kjo është një lojë perfide e Edi Ramës me anë të së cilës ai kërkon ti shpëtojë një Reforme në Drejtësi. Ai kërkon ti shpëtojë Byrosë Kombëtare të Hetimit, jo nën Saimir Tahirin por nën Prokurorinë. Ai kërkon ti shpëtojë një drejtësie të pavarur sepse e di që një drejtësi e pavarur ka të paktën 12 shkaqe të njohura publikisht për ta marrë atë si të pandehur dhe për ta çuar para drejtësisë” tha zoti Basha.
Burime të besueshme bëjnë të ditur se teza e bojkotimit të parlamentit nuk ka kaluar pa debate në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. Disa deputetë kanë kërkuar që vendimi të mbahet deri në fund dhe se duhet shoqëruar me thirrje për protesta.