KRYEFAQJA » LAJME » PD në protestë për buxhetin
PD në opozitë lajmëron bllokimin e parlamentit

PD në protestë për buxhetin

PD më e madhja e opozitë së djathtë shqiptare, lajmëroi protestën e saj të rradhës. Të shtunën kryetari i saj Lulzim Basha iu bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen opozitës në protestën që do të mbajë në datën 17 dhjetor para parlamentit shqiptar. Demokratët dhe përkrahësit e tyre do të protestojnë, ndërsa do të zhvillohet seanca plenare e radhës për diskutimin dhe miratimin në tërësi të buxhetit për vitin 2016 dhe paketës fiskale. Zoti Basha tha se PD do të kundërshtojë me çdo forcë miratimin e këtij buxheti, që sipas tij, nga njëra anë shton varfërinë për qytetarin e nga ana tjetër e rrit parajsën për Edi Ramën, ministrat e tij dhe forcën politike me të cilën bashkëqeveris, LSI. “Do të përpiqemi ta ndalojmë me çdo kusht brenda Parlamentit përmes deputetëve, e jashtë tij me qytetarët, buxhetin e katastrofës” tha zoti Basha. Sipas tij protestat e demokratëve, nuk do të ndalen deri me rrëzimin e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që garanton zgjedhje të lira e të ndershme.
Kjo është protesta e dytë e demokratëve brenda harkut kohor të 10 ditëve. Më 8 dhjetor ata përkujtuan Ditën Kombëtare të rinisë, dhe nisën sikurse u deklaruan protesta pa kthim për të larguar qeverinë Rama.