KRYEFAQJA » LAJME » PD nuk pranon variantin e qeverisë për BKH
Dekriminalizimi, opozita synon radikalizimin e aksionit politik

PD nuk pranon variantin e qeverisë për BKH

Historia e krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit ka njohur një tjetër zhvillim të papritur. Pas shkëmbimit të disa replikave ditën e mërkurë dhe ndërsa pritej që në parlament ditën e enjte palët të votonin variantin e paraqitur nga qeveria, kryetari i PD-së së opozitës Lulzim Basha ka deklaruar se varianti që është publikuar nuk është ai dakordësuar me ndërmjetësimin e partnerëve  amerikanëve dhe Komisionin e Venecias. “Varianti që është publikuar nuk është varianti i dakordësuar me ndërmjetësimin e partnerëve  amerikanëve dhe Komisionin e Venecias. Ky është një variant tjetër, jo ai për të cilin ne kemi dhënë dakordësinë tonë” tha zoti Basha të enjten para gazetarëve. “Unë dua të përsëris këtu se Partia Demokratike ka qenë dhe është e vendosur për Byronë Kombëtare të Hetimit sipas draftit të rakorduar me partnerët tanë amerikanë dhe në përputhje me rekomandimin nr.90 të Venecias në 23 dhjetorit apo 21 dhjetorit të vitit të kaluar. Dhe nëse mazhoranca e ka këtë vullnet ne e votojmë sot” shtoi zoti Basha. Duke spjeguar kundërshtimin kreu i PD tha se “Pika që na ndan është dakordësimi që ky institucion duhet të jetë 100 për qind nën autoritetin e Prokurorisë, siç e parashikon Kushtetuta, siç parashikon Komisioni i Venecias,  siç kemi rakorduar me partnerët tanë amerikanë”.  Varianti i propozuar nga qeveria është që kreu i byrosë do të emërohet nga ministri i Brendshëm, ndërsa kryeprokurori duhet të japë pëlqimin e tij për kreun e BKH-së. Hetimet do të jenë nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm.