KRYEFAQJA » LAJME » PD-OSHEE, replika dhe kërcënime
OSHEE fiton gjyqin me "DIA"-n

PD-OSHEE, replika dhe kërcënime

Partia Demokratike e opozitës dhe OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike) u përfshinë të martën në shkëmbime të ashpra replikash, të cilat madje morën trajtën e kërcënimeve.
Fillimisht PD akuzoi kryeministrin  Edi Rama se kishte favorizuar një mikun e tij në tenderin për ndërtimin e godinës së OSHEE. Sipas PD i njohuri i kryeministrit kish përfituar 4 miliardë e 540 milionë, ndonëse kish dhënë ofertë më të ulët, i cili i ka ndërtuar shtëpinë në Surrel duke i dhënë tenderin për rindërtimin e godinës së OSHEE-së. “Ky korrupsion, kjo babëzi, kjo zhvatje bëhet pikërisht me paratë që OSHEE, kjo bande kriminale, ua ka marrë shqiptarëve me kërbaç, duke i shtypur e poshtëruar, duke i dërguar në burg, e shpesh duke u marrë dhe jetën” tha në një deklaratë të tij nënkryetari i PD dhe kreu i grupit parlamentar të opozitës Edi Paloka.
Në reagimin e saj OSHEE sqaronte se “…do të ndërtojmë qendrën e re moderne të kompanisë për të kursyer parate e qirave në vite si edhe per t’i sherbyer me dinjitet të plote klientëve”. Por ajo cka duket se ka ngritur tensionet ishin akuzat politike dhe ironike të OSHEE. “Ndërsa partisë së shkatërruesve të kompanisë kur ishin në pushtet dhe shpifësve profesionistë tani që janë në opozitë, u themi vetëm të mos harrojnë të paguajnë rregullisht dritat. Për të tjerat le të thonë ç’të duan” nënvizohej në deklaratë.
Reagimi i PD pas kësaj ishte mjaftë i ashpër dhe i drejtëpërdrejtë ndaj kreut të OSHEE Adrian Cela. “Partia Demokratike ka një mesazh për këtë kryehajdut e kryebandit: Shpejt do të vijë dita që do të mbash përgjegjësi për gjithë abuzimet, vjedhjet, tenderat, klientelizmin, padrejtësitë dhe jetët e shqiptarëve që ke marrë në qafë. Partia Demokratike të jep fjalën se do të provosh atë çfarë provoi Qamil Zela kur e dërgove në burg për 35 mijë lekë të vjetra debi”, përfundon deklarata që kujton me këtë rast vetvrasjen e një shtetasi shqiptar.
Ngjarja e së martës, shënohet si një nga rastet e rralla kur një forcë politike në Shqipëri kërcënon zyrtarë shtetërorë të këtij niveli.