KRYEFAQJA » LAJME » PD padit kryeministrin për tre vepra penale, Rama i bën thirrje për Reformën në Drejtësi
PD padit kryeministrin për tre vepra penale, Rama i bën thirrje për Reformën në Drejtësi

PD padit kryeministrin për tre vepra penale, Rama i bën thirrje për Reformën në Drejtësi

Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht kryeministrin Edi Rama për të paktën sipas saj tre vepra penale, mashtrim, pastrim parash dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm. Deputeti demokrat Eduard Halimi tha se “Faktet e mbledhura nga organet ligjzbatuese amerikane, tregojnë qartë se 80 mijë dollarë janë paguar nga Shqipëria nga burime tërësisht të dyshimta të padeklaruara nga kryeministri, me një qëllim të vetëm: përdorimin e një takimi me një foto me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barak Obama”.  Zoti Halimi kujtoi precedentin e Rumanisë shumë vite më parë, kur ish kryeministri Viktor Ponta u dënua për sipas tij shuma shumë herë më të vogla se këto që akuzohet kryeministri shqiptar. “Tani është momenti që Prokuroria të thërrasë kryeministrin, i cili është i detyruar t’u japë përgjigje pyetjeve të opozitës” tha zoti Halimi.
Por nga ana e saj Drejtoria e Komunikimit në kryeministri, ka reaguar për kallëzimin e bërë nga Partia Demokratike, duke e quajtur përpjekje e dëshpëruar e opozitës për të mos u përballur me reformën në drejtësisë. “Kryeministri Rama s’ka lidhje me asnjë lloj financimi të paligjshëm dhe i vetmi “krim” që ka bërë në vitin 2012 është se ka dalë në fotografi me Presidentin e SHBA, në një kohë kur qeverisë shqiptare dhe shefit të saj i ishin mbyllur të gjitha dyert dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë vuanin rrënimin e imazhit të vendit tonë për shkak të keqqeverisjes” bëhet e ditur në reagim. Sipas saj “Ishte koha kur qeveria e Shqipërisë shpërdoronte miliona dollarë nga taksat e shqiptarëve, për të lobuar në SHBA jo për Shqipërinë, po për përbaltjen e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës me artikuj dizinformues të porositur e të paguar nga Tirana” nënvizon Drejtoria e Komunikimit në kryeministri.
Ndërkaq kryeministri Edi Rama i bën thirrje publikisht Partisë Demokratike që të merret seriozisht me nevojën historike të vendit për Reformën në Drejtësi. “Pse i trembet Partia Demokratike këtij çlirimi të domosdoshëm për të gjithë? Pse nuk pranon Partia Demokratike që partitë së bashku të heqin duart nga kontrolli i sistemit e drejtësisë? Çfarë e frikëson Partinë Demokratike në përfshirjen e aleateve tanë strategjikë në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të Reformës në Drejtësi? Këto janë pikëpyetjet e mëdha të Shqipërisë së sotme dhe jo fotografia e vitit 2012 me Presidentin e Shteteve të Bashkuara” nënvizon Drejtoria e Komunikimit në kryeministri.