KRYEFAQJA » LAJME » PD paraqet “Amendamentin e dekusarizimit”
PD paraqet amendamentin e dekusarizimit

PD paraqet “Amendamentin e dekusarizimit”

PD ka depozituar të enjten në parlament atë që ajo e ka quajtur “Amendamenti i Dekusarizimit”. Në thelb të këtij amendamenti sipas kreut të PD Lulzim Basha, të gjithë atyre që humbin mandatin e deputetit u ndalohet rikandidimi në zgjedhjet e mëpasme. “Ndalimin e rikandidimit ose emërimit në funksione publike të atyre që humbasin mandatin e deputetit, sepse shkelin Kushtetutën duke zhvatur paratë dhe pasuritë publike të shqiptarëve” tha zoti Basha.
Tashmë është e qartë se propozimi i opozitës ka parasysh emra të veçantë nga rradhët e maxhorancës. Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi t’i hiqte mandatin deputetit socialist Koço Kokëdhima pasi arriti konkluzionin se ai kishte përfituar në mënyrë të jashtëligjshme fonde publike ndërsda ishte zgjedhur deputet. Në proces gjykimi janë dhe dy deputetë të tjerë socialistë Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, ndërsa në vitin 2011 i është hequr mandati i deputetit ministrit aktual të shëndetësisë Ilir Beqaj.
Pas këtij propozimi të opozitës në parlament priten debate. Sipas disa komentatorëve fakti që opozita më shumë se fenomenin ka parasysh emra konkretë, mund të provokojë stuhi propozimesh. Akuzat për vjedhje dhe përfitime të jashtëligjshme janë nga më të pranishmet mes krahëve të politikës në Shqipëri, ndaj dhe amendamentet që mund të rrjedhin prej tyre,  pa frikë mund të cilësohen amendamente të personalizuar.