KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » PD: Paratë e popullit për makina luksoze! Qeveria: Nuk është e vërtetë! Po kursejmë!
PD: Paratë e popullit për makina luksoze! Qeveria: Nuk është e vërtetë!

PD: Paratë e popullit për makina luksoze! Qeveria: Nuk është e vërtetë! Po kursejmë!

Partia Demokratike, më e madhja e opozitës, akuzoi të premten qeverinë e kryeministrit socialist Edi Rama se po përdor paratë e shqiptarëve për të blerë makina luksoze për ministrat e saj, në një kohë kur ata kanë nevoja të domosdoshme. Duke dhënë hollësi nënkryetari i saj Edmond Spaho, në një deklaratë për mediat tha se “në kohën kur varfëria e ka kaluar kufirin, kur ekonomia është në krizë të thellë, kur papunësia shtohet dhe qytetarët janë çdo ditë e më të pashpresë, qeveria po mendon të blejë 29 makina luksoze”. “Ky është shpërblimi që kryeministri ka për ministrat e tij, një Jaguar i ri për cdo ministër…” tha ndër të tjera zoti Spaho. Deklaratave të zotit Spaho i kanë paraprirë disa media dhe rrjete sociale të cilat kanë amplifikuar lajmin.
Por qeveria ka reaguar menjëherë në portalin e saj www.transparenca.al. Në një shkrim të botuar, sqarohet se bëhet fjalë për një tender për marrjen me qira (leasing) të automjeteve që kabineti qeveritar do të përdorë.
Vendimi për këtë tender merr parasysh parasysh amortizimin e flotës aktuale të automjeteve, mungesës së sigurisë në transport, kostove shumë të larta në mirëmbajtje, si dhe kostos së lartë në konsum të karburantit.
Spjegimi i dhënë në portal, nënvizon se “analiza financiare tregon se marrja me qira (leasing) e automjeteve që do të kryejnë transportin e kabinetit qeveritar, është version më i lirë jo vetëm se blerja e automjeteve të reja, por edhe se mbajtja në përdorim e flotës ekzistuese”.
Gjithnjë sipas portalit “Sot, në shërbim të Këshillit të Ministrave janë në dispozicion 22 autovetura, kostoja e mirëmbajtjes së të cilave është 636,392 euro në vit, ose 2,545,571 euro për një periudhë katërvjeçare, duke përllogaritur këtu edhe vlerën e amortizimit të automjeteve. Marrja me qira (leasing) e një numri të njëjtë makinash, kushton 494,520 euro në vit, ose 1,978,080 euro për një periudhe katërvjeçare. Shteti shqiptar kursen 141,872 euro në vit, ose 567,491 euro për një periudhë katërvjeçare dhe në të njëjtën kohë automjetet në dispozicion janë të reja, më të sigurta, ndotin më pak mjedisin dhe duke pasur një efiçencë më të lartë në konsum, kursejnë rreth 30 për qind më shumë edhe në kostot e karburantit. Për më tepër, në raste defektesh, automjeti zëvendësohet menjëherë dhe kostot e riparimit apo zëvendësimit për shtetin shqiptar është zero” vlerësohet në portal.
Gjithnjë sipas argumenteve të qeverisë “Kosto e marrjes me qira (leasing) të 22 automjeteve është akoma më e ulët nëse krahasohet me koston e blerjes së 22 automjeteve të reja. Shtetit shqiptar do t’i kushtonte plotë 3,497,142 euro blerja dhe mirëmbajtja për një periudhë katërvjeçare e 22 automjeteve të nevojshme për kabinetin qeveritar. Dukshëm, përmes marrjes me qira (leasing), kursehen plotë 379,765 euro në vit, ose 1,519,062 euro për një periudhë katërvjeçare”.