KRYEFAQJA » LAJME » PD: Përjashtimi i Berishës i padrejtë; Rama: Ju nuk doni reformën në drejtësi
Armet ne duart e popullsise

PD: Përjashtimi i Berishës i padrejtë; Rama: Ju nuk doni reformën në drejtësi

Grupi parlamentar i PD-së vendosi të hënën të bojkotojë për 10 ditë punimet e parlamentit, si një reagim ndaj vendimit të Byrosë Parlamentare për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga seancat plenare, pasi ai bëri thirrje për armatosjen e qytetarëve për t’u mbrojtur, ndërsa tha se qeveria është kthyer në organizatë kriminale. Kryetari i PD-së Lulzim Basha e quajti të padrejtë përjashtimin e Berishës dhe një hakmarrje të Edi Ramës “për denoncimin e megaskandalit me Shullazin”. Opozita thotë se deklaratat e Berishës synonin një propozim ligjor për paisjen e qytetarëve me armë, por maxhoranca e ka konsideruar thirrje antikushtetuese dhe i ka kërkuar prokuorisë që ta marri ish kryeministrin të pandehur.
Por kryeministri socialist Edi Rama tha se ky vendim është një solidaritet i plotë me thirrjen “merrni armët që të mbrohemi nga reforma në drejtësi”. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist zoti Rama tha se se vendimi i PD-së për të bojkotuar parlamentin është tregues i mungesës së vullnetit nga ana e saj për reformën në drejtësi. “E gjithë përpjekja për të kriminalizuar qeverisjen dhe shumicën qeverisëse, i është shtuar dhe nevoja e brendshme gjithmonë e më therëse për të penguar me çdo kusht reformën në drejtësi” tha kryeministri Edi Rama.
Kjo ngjarje ka ashpërsuar edhe më tej klimën politike në Shqipëri. Debati lidhur me praninë e armëve në duart e popullatës,  ka risjellë edhe njëherë historinë e dhimshme të vitit 1997, kur ndërsa zoti Berisha ishte në krye të shtetit, vendi u përfshi nga trazirat e dhunshme civile, që shoqëruan rënien e skemave piramidale. Në atë kohë shumica e shqiptarëve humbën jo vetë kursimet e jetës, por edhe shumë nga familjarët e tyre të dashur. Vendi përjetoi një tmerr të paparë nga përdorimi i pa kontrolluar i armëve që ranë në duart e popullatës pas hapjes së dhunshme të depove të ushtrisë. Ndonëse ka kaluar afro 20 vjet nga ajo kohë, pasojat ndihen ende.