KRYEFAQJA » LAJME » PD po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme
PD po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme

PD po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme

Më pak se një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, Partia Demokratike më e madhja e opozitës së djathtë, po përgatitet për hartimin e programit me të cilin do të garojë në zgjedhjet e ardhshme. “Marrim përgjegjësitë tona si opozitë sot dhe alternativë për nesër për t’iu shpalosur shqiptarëve jo thjesht denoncimet me fakte e argumente, por edhe rrugët e daljes që kalojnë nga një model i ri politik, të një demokracie funksionale në duart e qytetarëve dhe jo të një mekanizmi të kalbur në Tiranë, që po e përdor vetëm për pasurimin e vetë dhe një grushti njerëzish me apo pa rekord kriminale” deklaroi në Tiranë kreu i saj Lulzim Basha. Sipas tij “Shembja e këtij estabilishmenti të korruptuar dhe kriminal është hapi i parë që duhet hedhur.
Ekonomia është pjesë e rëndësishme e programit të PD.  Zoti Basha beson fort se alternativa ekonomike e të djathtëve është më e mira për zhvillimin e vendit. “Taksa e sheshtë 9 për qind, TVSH 15 për qind dhe asnjë shpenzim që nuk shkon tërësisht në shërbim të taksapaguesit” tha ai.
Në hartimin e programit të saj PD po mbështet nga ekspertë gjermanë të Unionit Kristian Demokrat (CDU) dhe Fondacionit “Konrad Adenauer”. I pranishëm në takim Matthias Schafer i këtij fondacioni, tha se “Program i PD është një program që rikthen besimin, që nuk mban premtime boshe, por realiste”. Ai përmban një skemë taksimi që ndihmon sipërmarrjen, vende të reja pune dhe garanton rritje ekonomike.