KRYEFAQJA » LAJME » PD: PS na përjashtoi nga hapja e dosjeve dhe verfikimi i gjyqtarëve e prokurorëve

PD: PS na përjashtoi nga hapja e dosjeve dhe verfikimi i gjyqtarëve e prokurorëve

Partia Demokratike ka akuzuar të martën mazhorancën se ka përjashtuar opozitën nga dy procese të rëndësishme, atë të hapjes së dosjeve të ish sigurimit të shtetit si dhe për verifikimin e të kaluarës së gjyqtarëve dhe prokuroreve bazuar në Ligjin e Vettingut. Nënkryetari i PD deputeti Edmond Spaho, tha se përfaqësuesi i mazhorancës Taulant Balla, theu marrëveshjen e arritur, që një nga kandidaturat që do të paraqitet në kuvend për krijimin e autoritetit përkatës, të jetë propozim i opozitës. “Edi Rama me një gur dëshiron të vrasë dy zogj, të kapë edhe procesin e hapjes së dosjeve të ish – Sigurimit të Shtetit, por njëkohësisht të fusë duart edhe në sistemin e drejtësisë, nëpërmjet kontrollit të lidhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve me të shkuarën komuniste, pra atë që parashikohet në procesin e Vettingut” tha zoti Spaho.
Një ditë më parë Komisioni i Ligjeve ka votuar për anëtarët e komisionit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, por opozita nga ana e saj është larguar nga mbledhja. Qeveria ka propozuar Gentiana Sulën si kryetare të komisionit, ndërsa nga shoqata e ish-të përndjekurve janë propozuar Simon Miraka dhe Daut Gumeni. Dy kandidatë të tjerë do të propozohen nga Kuvendi. Zoti Spaho shprehu frikën se autoriteti do të përbëhet nga tre përfaqësues të mazhorancës, ai i kryeministrisë dhe dy kandidatura të Kuvendit, një përfaqësues i shoqërisë civile dhe një përfaqësues i shoqatave të përndjekurve politikë, ndërsa opozita do të anashkalohet .  Votimi i kandidatëve do të bëhet të enjten në seancë parlamentare. “Ne jemi në kontaktet me të gjithë aktorët që kanë rol në këtë proces” bëri të ditur zoti Spaho hapat e mëtejshëm, të opozitës.