KRYEFAQJA » LAJME » PD-PS replika për emërimet në administratën publike
PD-PS replika për emërimet në administratën publike

PD-PS replika për emërimet në administratën publike

Emërimet në administratën publike shqiptare pas ardhjes në pushtet të PS dhe aleatëve të saj, janë bërë vazhdimisht objekt i polemikave mes maxhorancës dhe opozitës. Ditët e martë ato shënuan një kulm të ri. Partia Demokratike, nëpërmjet sekretarit të saj të përgjithshëm Arben Ristani, publikoi një letër, sipas të cilit, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i burgjeve i shprehte kryeministrit Edi Rama pakënaqësinë për emërimet në këtë institucion. Sipas PD “ky zyrtar i lartë e informon Edi Ramën se nga tetori i vitit 2013 e deri në gushtin e 2014, nga 762 emërime, vetëm 300 i ka bërë Partia Socialiste, ndërsa 462 i ka bërë LSI”. Sipas demokratëve kjo tregon se si po e ndajnë tortën e pushtet PS dhe LSI.
Por PS i ka hedhur poshtë akuzat. Nënkryetari i grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, i cilësoi ato si trillime që po përdoren për përfitime politike. “Fatkeqësisht, Saliu dhe Luli kanë plotë 25 vjet që vetëm këtë bëjnë. Shpifin e shpifin me shpresën se diçka do të mbetet. Falsifikojnë dhe fabrikojnë fakte me shpresën se balta do të nxijë kundërshtarin. Por fatmirësisht, nuk jemi të gjithë njësoj” tha zoti Balla.
Polemikat e fundit mes maxhorancës dhe opozitës, shihen si reflektim i një klime gjithnjë e më të tensionuar mes tyre, pavarësisht thirrjeve gjithnjë e më të shpeshta të komunitetit ndërkomëtar për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet midis tyre me anë të dialogut. Opozita nga ana e saj, duke akuzuar maxhorancën se po e con vendin në katastrofë, ka ndërmarrë një aksion pë ta detyruar qeverinë të japi dorëheqjen, në vend të krijohet qeveri teknike që do të përgatisi zgjedhjet e parakohshme. Por maxhoranca nga ana e saj thotë se krizë ka vetëm brenda opozitës, e cila po kërkon me cdo kusht të shtyjë procesin e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi, si kushte të vëna nga ndërkomëtarët për integrimin e vendit.