KRYEFAQJA » LAJME » PD: Socialistët braktisin partinë, PS: Është shpifje e shëmtuar
Përfundojnë votimet për Bashkinë e Dibrës, PS dhe PD deklarojnë fitoren

PD: Socialistët braktisin partinë, PS: Është shpifje e shëmtuar

PS e maxhorancës dhe PD në opozitës, shkëmbyen të hënën deklarata pas deklaratave se 200 anëtarë socialistë kishin braktisur partinë e tyre dhe u ishin bashkuar demokratëve. Lajmi u bë i ditur gjatë një takim të organizuar në Pallatin e Kulturës në Peshkopi, ku merrte pjesë dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha. “Edi Rama i ka harruar socialistët, ata enden rrugëve të papunë, pa bukë, ndërsa pasurohen vetëm një grusht njerëzish” citohen të kenë thënë anëtarët e larguar të PS.
Por shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Muharem Rama ka përgënjeshtruar lajmin. “Asnjë anëtar i Partisë Socialiste nuk është larguar në drejtim të Partisë Demokratike” bëhet e ditur në një deklaratë të tij. Sipas deklaratës “e gjitha është një shfaqje e shëmtuar me njerëz të importuar nga jashtë Dibrës, me synim dezinformimin e qytetarëve”.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme të 11 shtatorit për Bashkinë e Dibrës. Kandidatë janë mjeku Muharrem Rama dhe ekonomisti Sherefedin Shehu ish deputet i PD. Ish kreu i kësaj bashkie Shukri Xhelili i cili një vit më parë fitoi zgjedhjet nën siglën e PS, u shkarkua nga detyra me urgjencë pasi mediat publikuan një video ku ai shihej i përfshirë në një aferë seksi. Më parë Bashkinë e Dibrës e kish drejtuar për tre mandate një përfaqësues i PD. Zgjedhjet e 11 shtatorit në Dibër shihen si një test për punën e deritanshme të qeverisë Rama, por edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.