KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Lunaçek, thirrje politikanëve të Kosovës të përmbushin dy kriteret e fundit
ulrike lunacek, liberalizimi i vizave, te kosoves

Lunaçek, thirrje politikanëve të Kosovës të përmbushin dy kriteret e fundit

Komiteti për çështjet e jashtme në Parlamentin Europian e pozicionoi sot veten në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët Kosovarë. Pas votimit, zëvëdëspresidentja e parlamentit europian Ulrike Lunaçek, e cila është gjithashtu raportere e marrëdhënieve të BE-së me Kosovën, u shpreh se “Topi është tashmë në fushën e parlamentit dhe qeverisë kosovare. Më vjen keq që nuk ka progres të mjaftueshëm përsa i përket përmbushjes së dy kritereve të fundit, dhe sidomos ratifikimit nga parlamenti kosovar të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi. Ndërkohë, qeveria kosovare duhet të prezantojë progres në dënimin e personave të nivelit të lartë për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.”. Ndërkohë, raporterja për liberalizimin e vizave në komitetin lirive civile, Tanja Fajon, njoftoi dje se ky komision do ta shtynte votimin për liberalizimin e vizave në datën 5 shtator. Arsyeja për këtë shtyrje është mungesa e progresit për çështjet e lartpërmendura. Sipas Lunaçek, tashmë është koha për të vepruar. U bëj thirrje të gjithë politikanëve të partive kosovare të bëjnë hapat e nevojshëm për të hapur rrugën për liberalizimin e vizave, tha ajo, duke shprehur bindjen se qytetarët e Kosovës e meritojnë heqjen e vizave sa më shpejt të jetë e mundur. “Politikanët kosovarë janë ata që mbajnë çelësin në duart e tyre. Unë, Raporterja Fajon dhe Parlamenti Europian u kërkojmë atyre ta hapin këtë derë tani”, shkruan zëvëdëspresidentja e PE-së, Lunaçek në deklaratën e saj për shtyp.