KRYEFAQJA » LAJME » Pensionet e emigrantëve, synohen marrëveshje me 11 shtete
Qeveria vendos rritjen e pensioneve me 1.6 përqind për 635 mijë pensionistë

Pensionet e emigrantëve, synohen marrëveshje me 11 shtete

Ministria shqiptare e mirëqënies sociale, është angazhuar në bisedime me vende të ndryshme, për të mundësuar marrëveshje të përbashkëta, mbi bazë të të cilave do të bëhet njohja e ndërsjelltë e viteve të punës për efekt pensioni për emigrantët shqiptarë. Deklarata është bërë nga numri dy i kësaj ministrie Genta Sula, në Komisionin parlamentar të Çështjeve Sociale. Duke ju përgjigjur interesimit të deputetëve, ajo tha se “Janë rreth 11 shtete ku po zhvillohen marrëveshje, të cilat janë në faza të ndryshme të procesit”. Zonja Sula bëri të ditur se procesi është mjaftë i vështirë. “Ai fillon me një studim paraprak, vijon me tryezë bisedimesh, me ngritjen e grupeve teknike dhe politike, e deri te ratifikimi” tha ajo. “Sa i takon Italisë, është përgatitur dhe i është dërguar palës italiane një studim i hollësishëm lidhur me pensionet, ku përfshihet numri i qytetarëve shqiptarë dhe ata italianë, që punojnë në mënyrë të ndërsjelltë, dhe kostot financiare të procesit. Jemi ende duke pritur reagimin e palës italiane. Sa i takon Greqisë, nuk kemi bërë përparime, pasi ky shtet ka aktualisht probleme ekonomike që dihen” dha spjegime në Komisionin parlamentar të Çështjeve Sociale zëvëndësministrja e mirëqënies sociale Gentiana Sula.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 32.5 për qind e shqiptarëve jetojnë në emigracion. E shprehur në shifra popullsia brenda Shqipërisë është 2 986 952 shtetas, ndërsa jashtë 1 438 451 shqiptarë. Shumica e tyre kanë emigruar në vende të ndryshme të botës pas viteve ’90 kur vendi u hap pas një diktature gati 50 vjeçare komuniste. Mjaftë prej shqiptarëve i kanë të ndara vitet e punësimit midis Shqipërisë dhe vendeve ku ata jetojnë. Partitë politike me rastin e zgjedhjeve, vazhdimisht kanë premtuar marrëveshje, por vetëm dy vitet e fundit është bërë e mundur arritja e marrëveshjeve me Belgjikën dhe Kanadanë.