KRYEFAQJA » LAJME » Përçahen strukturat e BDI-së; shkak Kodi Zgjedhor
bdi

Përçahen strukturat e BDI-së; shkak Kodi Zgjedhor

Miratimi i ndryshimeve ligjore në Kodin Zgjedhor është shoqëruar me polemika mes deputetëve në Kuvend. Pavarësisht se BDI-ja në bisedimet për zgjidhjen e krizës ishte pajtuar me propozimet e LSDM-së për pastrimin e listës zgjedhore, dy deputetët shqiptarë Talat Xhaferi dhe Rafis Aliti kanë kundërshtuar ndryshimet, duke thënë se janë të dëmshme për shqiptarët. “Ajo që për mua është e papranueshme është që unë me votën time të votoj që t’ua marr të drejtën e votës 39.502 qytetarëve të Maqedonisë, pavarësisht cilit etnitet i takojnë ata”, tha Rafis Aliti. Ndryshe nga Aliti dhe Xhaferi, pjesa tjetër e deputetëve të BDI-së të pranishëm në seancë kanë votuar për ndryshimet ligjore, që konfirmon përçarjet që ekzistojnë brenda partisë së Ahmetit për tema të caktuara. Por, zhvillimet e këtilla në Kuvend, deputeti Pavle Trajanov i ka quajtur skena të përgatitura nga mazhoranca. “Ky është teatër i absurdit. Mbeten mundësitë për manipulime. Kjo listë nuk është pastruar 20 vite, dhe nuk do të pastrohet as tani sepse nuk ka vullnet politikë”, u shpreh Pavle Trajanov, deputet LD. Debate më të ashpra për ndryshimet në Kodin Zgjedhor u zhvilluan në Komisionin Parlamentar për Sistem Politikë, të cilin e braktisën deputetët e PDSH-së. “Në këtë sallë jemi për shkak të garancive të ndërkombëtarëve për zgjedhje të besueshme. Ju na thatë që jeni marrë vesh, por duket që nuk qenkeni marrë vesh. Kur të merreni vesh na thirrni, ne do të vijmë”, deklaroi Ymer Aliu, deputet i PDSH-së. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u miratuan me 92 vota për, 3 kundër dhe një abstenim. Ato i japin të drejtë Komisionit Shtetëror Zgjedhor që të fshijë rreth 40 mijë votues nëse të njëjtit nuk arrijnë të konfirmojnë të drejtën e votës në afatet e parashikuara. Po ashtu, ndryshimet parashikojnë që 171 mijë votues të diasporës të kalojnë si pjesë shtesë e Listës Zgjedhore dhe të evidentohen me yll.