KRYEFAQJA » LAJME » Përcillet për në banesën e fundit Gjergj Filipi
Gjergj Filipi

Përcillet për në banesën e fundit Gjergj Filipi

I është dhënë të mërkurën lamtumira e fundit Gjergj Filipit, drejtor i INSTAT-it.
Filipi, 38 vjeç, i përket brezit të ri të ekonomistëve shqiptarë të pas viteve ’90. Specialist i klasit të parë, Doktor i shkencave Gjergj Filipi ka qenë konsulent për një sërë projektesh në fushat e zhvillimit dhe politikave ekonomike të financuara nga Bashkimi Europian, Banka Botërore dhe institucione të tjera të mirënjohura ndërkombëtare. Ai ishte një orator mjaftë i vlerësuar edhe në aulat universitare brenda dhe jashtë vendit.
Në krye të INSTAT-it, prej afro dy vjetësh, ai e ktheu këtë institucion nga një armë politike, në një qendër të vërtetë shkencore për mbledhjen e statistikave, duke e hapur dhe bërë atë dobiprurës për të gjithë shqiptarët.
Gjergj Filipi do të mbahet mend edhe si një njeri i mediave, vecanërisht si komentator për problemet ekonomike. Ai ishte argumentues i thellë dhe polemizues miqësor në tavolinat e radiove dhe televizioneve shqiptare, por edhe atyre shqipfolëse.
Gjergj Filipi la pas në hidhërim bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, familjarët, miqtë e kolegët e tij të cilëve do tu mungojë shumë, por u ka lënë pas kujtime të cmuara dhe të pashlyeshme.