KRYEFAQJA » LAJME » Përfundon Botërori i Notit në Kazan
Përfundon Botërori i Notit në Kazan

Përfundon Botërori i Notit në Kazan

Kampionati Botëror i Notit, i cili u zhvillua në kryeqytetin e republikës gjysmë-autonome ruse të Tataristanit, Kazan, ka ulur të dielën siparin me ceremoninë e mbylljes. Ashtu si të gjitha garat kryesore të këtij evenimenti madhor të sporteve të ujit, edhe kjo ceremoni u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Gjatë konferencës përmbyllëse për shtyp Presidenti i Federatës Botërore të Notit, Xhulio Maljone, tha se “në këtë kampionat spikatën paraqitje të shkëlqyera në 6 disiplina, duke çuar në thyerjen e 7 rekordeve të kampionatit dhe 12 rekordeve botërore”.
Në Kazan mori pjesë edhe një ekip nga Shqipëria. Ata ishin Noel Borshi, Nikol Merizaj, Sidni Hoxha dhe Klavio Meçe. Pavarësisht paraqitjes së tyre modeste në nivel botëror, ata vendosën rekorde të reja kombëtare në disiplinat ku konkurruan. Midis tyre spikati Sidni Hoxha, i cili në 50 metra stil i lirë, në renditjen e përgjithshme mes 120 notarëve është klasifikuar i 35-ti, duke qenë në kufijtë e normës së kualifikimit për në Olimpiadën “Rio 2016”.
Më tepër medalje në këtë kampionat, plot 35, i fitoi Kina, e cila mori më konkretisht 15 të arta, 10 të argjendta dhe 10 të bronzta. Në vendin e dytë u renditën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 33 medalje, të ndjekura nga Rusia, që ishte mjaft prapa me 17 medalje.