KRYEFAQJA » LAJME » Përfundon takimi trepalësh Bushati-Gentilioni-Daçiç
Përfundon takimi trepalësh Bushati-Gentilioni-Daçiç

Përfundon takimi trepalësh Bushati-Gentilioni-Daçiç

Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, Ditmir Bushati, Paolo Gentiloni e Ivica Daçiç, u takuan të mërkurën në Tiranë në takimin e dytë trepalësh mes tyre në harkun kohor të një viti. Ata diskutuan mbi projekte të përbashkëta konkrete, me interes të ndërsjellë, në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë, turizmit, arsimit, kulturës, bashkëpunimit rinor.
Pas takimit tre ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë mbajtën një konferencë për shtyp ku theksuan edhe një herë interesin e ndërsjelltë për bashkëpunime në disa fusha.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati tha se “Diskutuam për sigurinë, krizat me të cilat sot për sot përballet pellgu i Mesdheut, arkitektura e sigurisë europiane, dhe kam parasysh krizën e refugjatëve dhe nevojën për vazhdimin e përpjekjeve për t’i bërë ballë të gjithë komponentëve që shpërfaqet veprimtaria e terrorizmit ndërkombëtar dhe lufta që bëjnë vendet tona përsa i përket ekstremizmit të dhunshëm”.
Ndërsa ministri i jashtëm i Italisë, Paolo Gentiloni tha se “Italia është krenare që është e para në marrëdhëniet tregtare si për Serbinë ashtu dhe për Shqipërinë. Këto takime janë konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera që kemi me tre shtetet. Por është pozitive sa i takon marrëdhënieve Shqipëri-Serbi” shtoi ai. Duke konkretizuar marrëdhëniet e bashkëpunimit zoti Gentiloni tha se “Ka një sektor mbi të cilin në mënyrë të veçantë është përqëndruar dhe vëmendja jonë, marrëdhëniet ekonomike dhe sektori i energjisë, i gazit, dhe sigurisht që rajoni Ballkanit perëndimor, sikurse dhe Italia gjenden me përballjen e një situate kundrejt një projekti të rëndësishëm, dhe po punojmë për të gjetur dhe bashkëndajmë projekte të tjera në vijim sikundër është TAP”, u shpreh ministri i Jashtëm i Italisë, Paolo Gentiloni.
Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç u shpreh se, “na duhet të gjejmë burimet për të financuar dhe realizuar në praktikë projektet pasi kanë rëndësi jetësore”. “Do të donim të kishim marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë fqinjët tanë dhe në këtë kontekst presim të zbatojmë të gjithë projektet që kemi diskutuar përfshi dhe zyrën për rininë dhe shkëmbimin e studentëve”, tha Daçiç, duke shtuar se, “do të donim që të gjithë dallimet politike t’i lëmë pas dhe të gjejmë një emërues të përbashkët”. Vërtet pres me kënaqësi takimin tjetër. Ne me siguri do të vazhdojmë me zgjerimin e marrëdhënieve tona”.
Lidhur me situatën në Kosovë, veçanërisht asosacionin e komunave serbe, Daçiç tha se, “pres që në javët në vazhdim të kemi një progres dhe të zbatojmë atë që është rënë dakord. Si Prishtina dhe Beogradi janë të detyruar të zbatojnë marrëveshjen” tha ai.
Takimi trepalësh është një nismë e iniciuar më shumë se një vit më parë në Romë që synon shkëmbimin e pikëpamjeve dhe diskutimin e një sërë çështjesh të rëndësishme, si për tre vendet, ashtu dhe për rajonin e me gjerë. Takimet trepalëshe pas Romës e Tiranës do të ndalen në Beograd, për të cilin ministri serb Ivica Daçiç u angazhua ta realizojë në vjeshtë.
(Sipas ATSH)