KRYEFAQJA » LAJME » “IMSI Catcher”, pezullohet drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, arrestohen dy zyrtarë

“IMSI Catcher”, pezullohet drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, arrestohen dy zyrtarë

Një stuhi pezullimesh e shkarkimesh ka përfshirë Policinë e Shtetit. Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin nga detyra të kreut të Policisë së Shtetit Haki Cako, pas akuzave për shpërdorim detyre të Prokurorisë së Tiranës e cila ka nisur hetimet për pajisjen përgjuese “IMSI Catcher”. Ndërkaq janë arrestuar drejtor i Forcave Operacionale si dhe një specialist. Sipas prokurorisë pajisja ka hyrë në Shqipëri pa autorizimin përkatës, teksa kreu i policisë së shtetit nuk ka bërë detyrën e tij për të marrë masat për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e kësaj pajisje. Gjithnjë sipas hollësive që jep prokuroria, i dyshuari Çako, ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Ndërsa Çako ka deklaruar se pajisja “IMSI Catcher” është administruar gjatë të gjithë kohës nga ekspertët italianë, rezulton që në të paktën dy raste, mjeti ku gjendej pajisja, ka lëvizuar nga specialisti i forcave operacionale tashmë i arrestuar bashkë me eprorin e tij. Të dy këta akuzohen për shpërdorim detyre dhe “eprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Njoftimi i prokuorisë është dhënë ndërsa Haki Çako ndodhej në një aktivitet të policisë së shtetit. Pas kësaj zoti Çako nuk ka bërë komente, por është larguar nga aktiviteti.

Ndërkaq ministi i brendshëm Saimir Tahiri i doli në mbrojtje zotit Çako dhe të ndaluarve, duke u shprehur se është i bindur që ata nuk e kanë shkelur ligjin. “Unë jam shumë i vetëdijshëm që drejtori i policisë dhe dy punonjësit nuk kanë shkelur ligjin në asnjë sekond të ushtrimit të punës së tyre, Nuk kanë bërë asnjë përgjim dhe asgjë qoftë dhe largësisht e afërt me përgjimin. Publikisht i jap mbështetjen time institucionale dhe të qeverisë drejtorit dhe dy punonjësit e policisë dhe cdo polici që kryen detyrën me përkushtim dhe devotshmëri e ndershmëri duke besuar shumë fortë se policia  shtetit ka një mision të shenjtë për ti shërbyer qytetarëve” tha ministri Tahiri. Zoti Tahiri i dha më tej ngjarjes ngjyrim politik. “E kuptoj që opozita bashkë me frontin  e të keqes që sot nxorri kokën dhe nuk e do reformën në drejtësi. Ashtu siç janë të gatshëm të bëjnë gjithka të shtëpojnë Saliun”, tha ndër të tjera ministri Tahiri.
Këto janë vetëm hollësitë e para të kësaj ngjarjeje e cila ka tërhequr menjëherë vemendjen dhe po konsumohet orë pas ore.