KRYEFAQJA » LAJME » Përkeqësimi i mëtejshëm motit, emergjencat në alarm
Përkeqësimi i mëtejshëm motit, emergjencat në alarm

Përkeqësimi i mëtejshëm motit, emergjencat në alarm

Në Shqipëri autoritetet e emergjencave civile njoftuan se pasditen e së martës, moti do të vijë duke u përkeqësuar me rreshje dhe shtrëngata shiu të një intensiteti të lartë. Në lartësitë mbi 800 metra mbi nivelin e detit, pritet të ketë rreshje të dendura dëbore. Rajonet që parashikohet të preken nga përkeqësimi i motit janë Shkodër, Lezhë, Dibër, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër dhe Vlorë ku në intervale kohore prej 2-3 orësh, do të ketë rreshje shiu që mund të arrijnë në 30-40 mm. Ministria e Punëve të Brendshme bëri thirrje për kujdes dhe minimizim të lëvizjeve të panevojshme, kurse prindërit të shoqërojnë fëmijët në shkolla, kopshte e çerdhe.
Ministria njoftoi se ka marrë masat duke ngritur Shtabet e Emergjencës në Prefektura e Bashki, për të vënë në gatishmëri të gjitha kapacitetet njerëzore e teknike operacionale. Në gadishmëri janë Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe ARRSH. Janë njoftuar të gjitha kompanitë që kanë detyrime kontraktore për mirëmbajtje dhe mirëfunksionimin e akseve rrugore kombëtare dhe rurale të ndjekin situatën dhe të jenë në gadishmëri. U është kërkuar bordeve të kullimit dhe strukturave të hidrovorëve, si dhe OSHEE-së, të qëndrojnë në gatishmëri për të minimizuar pasojat që mund të shkaktohen nga reshjet e dendura.