KRYEFAQJA » LAJME » Përkeqësimi i motit, Bashkia e Tiranës merr masa dhe paralajmëron për kujdes
MB: Kujdes po përkeqësohet moti!

Përkeqësimi i motit, Bashkia e Tiranës merr masa dhe paralajmëron për kujdes

Bashkia e Tiranës bëri të ditur se ka marrë të gjitha masat për të zbutur problematikat që mund të shfaqen gjatë ditës së mërkurë, pas paralajmërimeve të sinoptikanëve për rreshje të dendura shiu. Sipas njoftimit, ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe do të jenë në terren, në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë ditës, së bashku me administratorët e 24 njësive administrative.
Bashkia e Tiranës këshillon qytetarët që të minimizojnë lëvizjet e tyre, për të shmangur trafikun e rënduar që mund të krijohet për shkak të rreshjeve, si dhe bllokimin e rrugëve. Për të lehtësuar transportin e qytetarëve, Bashkia e Tiranës u ka kërkuar linjave të transportit publik që të shtojnë numrin e autobusëve në qarkullim.
Si rrugë problematike dhe me mundësi më të lartë për t’u bllokuar janë: Rr. Siri Kodra (segmenti te Frigoriferi), Rr. Don Bosko, Rr. e Kavajës, Rr. Bardhyl (segmenti ku kryqëzohet me rr. ‘Qemal Stafa’), Unaza (segmenti ‘Vasil Shanto’ – ‘21 Dhjetori’), Rr. Myslym Shyri, Rr. e Dibrës.
Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin kalimin pranë lumenjve në zonat periferike të Tiranës.