KRYEFAQJA » LAJME » Përkujtohet 43-vjetori i revoltës së Spaçit

Përkujtohet 43-vjetori i revoltës së Spaçit

43 vjet pas revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit në Mirditë, ish-të burgosur politik, të afërm të tyre dhe pushtetarë vendorë, janë bërë bashkë në shenjë homazhi për jetët e marra peng aty, duke vendosur edhe një pllakë përkujtimore. Brenda mureve të burgut famëkeq enden histori rrënqethëse. Pajtim Lami nga Vlora, një prej ish-të burgosurve të këtij kampi, e ka të pamundur të mbajë lotët ndërsa kujton luftën me vdekjen në vitet e rinisë së tij.
Shumë pak ka mbetur sot. Godinat e burgut të Spaçit për ish-të burgosur që kanë vuajtur dënimin aty, një shkatërrim i pafalshëm i dëshmisë fizike të vendit që mori qindra jetë shqiptarësh. Drejtori i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola deklaroi se do të firmoset një peticion  drejtuar për miratim Kuvendit, që 21 maji të përcaktohet me ligj si ditë peligrianazhi në respekt të veprës së martirëve të lirisë.

21 maji i vitit 1973, ka zënë vend në histori si dita kur të burgosurit politik të Spaçit u ngritën në një revoltë antikomuniste që përfundoi pas disa ditësh me pushkatimin e disa prej të burgosurve politikë.