KRYEFAQJA » LAJME » Përmbytje nëpër rrethe
Përmbytje nëpër rrethe

Përmbytje nëpër rrethe

Për shkak të shirave të ditëve të fundit, 300 hektarë tokë vijojnë të jenë nën ujë në Zadrimë, 400 hektarë në Balldre-Torovicë dhe 80 hektarë vijojnë të jenë nën ujë në zonën e Bregut të Matit dhe në Barbullojë të qarkut Lezhë. Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se për shkak të reshjeve të rëna që nga dita e mërkurë në Zadrimë dhe Balldre dhe për shkak të tejngopjes së tokës me ujë, prurjet nga kanalet e ujrave dhe lumenjve janë shumë të mëdha. Si pasojë lumi Drin në këto zona është në kuotën 2 nga 2.2 që është pika kritike. Në Tale, kuota e lumit Drin është në 1.75 nga -1 që është pika kritike. Edhe në Kurbin, rreth 60 hektarë tokë vijojnë të jenë të përmbytura. Megjithatë Ministria garanton se në të gjitha këto zona hidrovoret janë në gjendje pune dhe tërheqja e ujërave vijon normalisht. Ndërsa, në Zvërnec të Vlorës gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm është shënuar një stuhi e fuqishme, si pasojë e së cilës janë dëmtuar një numër i konsiderueshëm biznesesh të shtrira përgjatë bregdetit të kësaj komune, ndërsa për disa orë u bllokua edhe rruga që lidhte Vlorën me këtë zonë.