KRYEFAQJA » LAJME » Përmbytjet në Laç sjellin një viktimë
Situatë e vështirë nga shirat në Lezhe dhe Kurbin

Përmbytjet në Laç sjellin një viktimë

Rreshjet e shumta të shiut të hënën në mbrëmje në qytetin e Laçit, kanë sjellë një viktimë. Një 48 vjeçar ka humbur jetën, pasi ra në një kanal në vendin e quajtur “Kodra e Bushit”. Burime të policisë thonë se ngjarja ka qenë aksidentale. I gjithë qyteti i Laçit vazhdon ndërkohë të jetë nën pushtetin e ujit. Sipas dëshmitarëve brenda pesë orëve kanë rënë 120 milimetra shi duke sjellë një situatë mjaft të vështirë. Ujërat e përrenjve dolën nga shtrati dhe përmbyten në pak kohë qendrën e Laçit dhe katet e para të banesave e bizneseve. Sipas të dhënave të para janë përmbytur 50 banesa dhe disa biznese. Tregu i qytetit të Laçit është përmbytur. Tregëtarët thonë se humbjet e tyre janë të mëdha. Komisariati i Policisë së Kurbinit dhe  grupe të FNSH-së Shkodër kanë organizuar operacione evakuimi të disa familjeve. Ministri i Bujqësisë dhe ushqimit Edmond Panariti, që ndodhet në zonë tha se situata është e vështirë. “Kanali i ujërave të larta është plotë ka tendencë për t’u derdhur ujin edhe në tokat përreth duke rrezikuar edhe vendbanimet, prandaj situata do të vazhdojë të jetë nën mbikëqyrje dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me banorët e zonës për një evakuim të mundshëm” paralajmëroi zoti Panariti. Në drejtim të Laçit janë nisur grupe të emergjencave civile.