KRYEFAQJA » LAJME » Përplasja e policëve në Kamëz, ja dëshmia e efektivit të plagosur

Përplasja e policëve në Kamëz, ja dëshmia e efektivit të plagosur

Ngjarja ndodhi rreth orës 21 e 30 minuta të së dielës, kur furgoni i policisë vendore të Kamzës po patrullonte përpara gjimnazit “Ibrahim Rugova”.

Tre efektivët e policisë do ta shikonin veten duke u rrotulluar bashkë me furgonin si pasojë e një goditje të fortë nga mbrapa nga një fuoristradë tip “Lexus” me targa TR 8788T që lëvizte me shpejtësi të lartë.

Sipas hetimeve foristrada me shpejtësi mbi 140 kilometra në orë drejtohej nga 22 vjeçari Arnold Kola, në gjendje të dehur.

Nga aksidenti mbeti i vdekur polici Ervin Haxhiaj dhe u aksidentuan rëndë dy efektivët e tjerë, Besmir Voi dhe Neil Hoxha, të cilët u dërguan në spitalin Ushtarak. Hetuesit kanë arritur të marrin dëshminë e parë nga i plagosuri Voja i cili nuk mban mend shumë nga ngjarja. Voi mësohet të ketë thënë se sëbashku me kolegët ishin duke patrulluar me makinë, kur furgoni i policisë u trondit. “Kemi qenë duke ecur kur morëm një goditje të fuqishme nga mbrapa. Nuk e kuptuam kur dhe si na erdhi goditja. Furgoni ynë pësoi dy rrotullime në vend. Kur më nxorën nga makina e policisë, pashë dy kolegët e shtrirë. Nuk mbaj mend shumë gjëra….patrullonim shpesh në këtë segment” u është shprehur efektivi hetuesve.

Ndërkaq Prokurorët e çështjes kanë kërkuar sekuestrimin e të gjitha kamerave të zonës, dërgimin e të dy mjeteve për ekzaminim auto-teknik, me qëllim zbulimin e gjendjes së tyre teknike. Kamerat do të zbulojnë dinamikën sesi ndodhi aksidenti. Gjatë mesditës ka nisur edhe ceremonia e lamtumirës për efektivin e rënë në krye të detyrës Ervin Haxhiaj.