KRYEFAQJA » LAJME » Përplasja në “Elbasan Arena” policia procedon shtatë persona
Përplasja në "Elbasan Arena" policia procedon shtatë persona

Përplasja në “Elbasan Arena” policia procedon shtatë persona

Policia e Elbasanit njoftoi se ka ndaluar shtatë persona, pas incidenteve që shoqëruan takimin Partizani dhe Skënderbeut, të zhvilluar të dielën pas dite në “Elbasan Arena”, takimi më i rëndësishëm i javës së nëntë të Superligës. Sipas policisë, shtetasit e proceduar janë E.D, 54 vjeç, R.H, 58 vjeç, F.B, 24 vjeç, A.P, 19 vjeç, F.O, 26 vjeç, M.K, 19 vjeç, dhe SH.M, 43 vjeç. Gjithçka nisi vetëm pak minuta para përfundimit të takimi, kur tifozët e Partizanit, të irrituar nga nxjerrja me karton të kuq e një mbrojtësi të tyre, nisën të hidhnin në fushë sende të palejuara, mes tyre fishekzjarre dhe kapsolla. Situata u tensionua kur tifozët nisën shkatërrimin e stolave dhe tentuan të hynin në fushë. Kjo e ka detyruar policinë të ndërhyjë energjikisht. Sipas saj gjatë trazirave dy punonjës policie janë dëmtuar, një shtetas është dëmtuar lehtë nga stolat e hedhur nga tifozeria, ndërsa një tifoze është shoqëruar në spital në një gjendje të rënduar emocionale. Policia ka nisur një hetim për “shkatërrim prone” pasi janë dëmtuar 120 stola, “prishje të qetësisë publike” dhe “kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik”, materialet e të cilit do t’i dorëzohen prokurorisë së Elbasanit. Ngjarja, jo e zakonshme, pritet të jetë edhe në fokusin e analizave të FSHF.