KRYEFAQJA » LAJME » Përplasje brezash në PD
Përplasje brezash në PD

Përplasje brezash në PD

PD prej afro tre vjetësh në opozitë, ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që parashikohet të mbahen në mesin e vitit të ardhshëm. Por situata brenda rradhëve të saj nuk duket aq e qëndrueshme. Në mbledhjen e kryesisë ditën e enjte, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura, është regjistruar një epison përplasjeje,  madje shkëmbime replikash mes atyre që konsiderohen brezi i vjetër dhe brezi i ri i politikanëve në PD. Protagonist është bërë sekretari për aksionin qytetar në PD Ervin Salianji. Burime të besueshme nga mbledhja, bëjnë të ditur se ai është shprehur me tone të ashpra ndaj përfaqësuesve historikë të PD-së, duke i cilësuar figura të vjetra, që mbajnë përgjegjësi për humbjen e kësaj force politike në zgjedhjet e fundit, ndërsa ka kërkuar promovimin e njerëzve të rinj. Mësohet se deputetët Noka, Imami, Mima i kanë kërkuar të mos përdori këtë gjuhë për kontribuesit e Partisë Demokratike ndër vite. Ka qenë ndërhyrja e kreut të PD Basha që ka shuar debatin. Madje ai i ka kërkuar zoti Salianji, tu kërkojë ndjesë ligjvënësve, xhest i cili është kryer prej tij menjëherë. Pavarësisht kësaj përplasjeje mes të rinjve dhe të vjetërve, kryesia e PD i ka dhënë miratim nismës së zoti Basha të shpallur kohë më parë, që në listën e kandidatëve për deputetë 35 për qind të jenë të rinj. Përplasja e së enjtes duket se është vazhdë e disa përplasjeve të mëparshme brenda PD, në fokusin e të cilave ka qenë kreu aktual Lulzim Basha. Ai është vënë në qendër të kritikave veçanërisht nga figura të njohura të PD. Më e ashpra ka qenë ish kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli e cila e ka kritikuar zotin Basha për apati dhe mungesë vizioni në drejtimin e opozitës.