KRYEFAQJA » LAJME » Përplasje e ashpër Kryeministri – PD
Përplasje e ashpër Kryeministri - PD

Përplasje e ashpër Kryeministri – PD

Zyra e Kryeministrit dhe PD më e madhja e opozitës, shkëmbyen të shtunën akuza mjaftë të ashpra, duke rritur më tej tensionin mes tyre. Shkak është bërë një deklaratë e zyrës së kryeministrit, e cila njoftoi se ka ndërmarrë hartimin e kallëzimit penal ndaj deputetes Abana Vokshi për veprën e shpifjes. Një ditë më parë zonja Vokshi akuzoi për afera korruptive ministrin e shëndetësisë Ilir Beqja, aferë ku sipas saj përfshihej edhe kryeministri Rama.
Deklarata e kryeministrisë vlerësonte se “deputetja e Partisë Demokratike ka marrë përsipër sektorin e prodhimit të baltës së shpifjeve për çdo nismë të qeverisë në fushën e shëndetësisë. Në aktivitetin e saj të vazhdueshëm prodhues, ajo në mënyrë të përsëritur përshin emrin e Kryeministrit”.
Zyra e Kryeministrit, ka të gjitha arsyet e bazuara në prova e fakte, për të besuar se fatkeqësisht, deputetja Albana Vokshi i përket kategorisë së shpifësve profesionistë të nivelit të lartë politik në PD, si famëkëqijtë Paloka dhe Ristani.
Këta të fundit u provuan si shpifës për përdorim partiak nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë, pasi nuk arritën të provojnë përpara trupit gjykues asgjë tjetër, përveç faktit se shpifin për llogari të partisë së tyre, citon njoftimi.
Zyra e Kryeministrit, vlerësonte se ka ardhur koha që Gjykata e Lartë të kalojë në sitën e gjykimit të saj të pavarur e të paanshëm edhe akuzat e deputetes në fjalë. Njësoj si në rastet e shpifësve Paloka dhe Ristani, Kryeministri Rama shpreh publikisht gatishmërinë e tij për të dhënë dorëheqjen, jo vetëm nga detyra, por edhe nga aktiviteti i tij politik, nëse deputetja Vokshi do të provojë në gjykate se shpifjet e saj ndaj Kryeministrit nuk janë të tilla.
Por pas kësaj deklarate ka reaguar mjaftë ashpër kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. “Kërcënimi ndaj Albana Vokshit, pas një serie denoncimesh kurajoze, me fakte e me prova për korrupsionin në shëndetësi, për zhvatjen që ai po i bën parave të shqiptarëve me miliarda çdo muaj, tregon dy gjëra. Se Rama përmes mashës së tij Ilir Beqaj i kanë vjedhur ato miliona euro dhe po vjedhin dhe sot të tjera. Dhe se ai ka në shërbim të tij drejtësinë e gjyqtarët e tij mercenarë në Gjykatën e Lartë, me të cilën kërcënon opozitën dhe fjalën e lirë”, vlerësohej në deklaratë. “Kërcënon me ata gjyqtarë të korruptuar e të kapur që dënuan Ristanin e Palokën, vijon deklarata, sepse denoncuan lidhjet e tij me krimin dhe nxorën pa njollë e pa cene përfaqësuesit e krimit, Arben Ndokën e Pjerin Ndreun që bota mbarë i pa të godisnin opozitën brenda në Kuvend” shkruhet në deklaratën e zotit Basha.
Deklarimet e sotme kanë rritur në një nivel më të lartë tensionet në marrëdhëniet midis qeverisë dhe opozitës, pikërisht në momentin kur po kërkohet konsensus për miratimin e reformës në drejtësi. Episodi i sotëm i shtohet atij të dy ditëve më parë në parlamentin shqiptar, kur palët shkëmbyen akuza mjaftë të ashpra dhe me tone mjaftë agresive, gjatë debatit parlamentar i cili koinçidoi më 21 janar, përvjetorin e pestë të vrasjes së katër qytetarëve shqiptar gjatë një proteste antiqeveritare të opozitës së majtë para selisë së qeverisë shqiptare të kryeministrit të djathtë Sali Berisha.