KRYEFAQJA » LAJME » Përplasje mes shitësve të duhanit dhe doganierëve në Shkodër

Përplasje mes shitësve të duhanit dhe doganierëve në Shkodër

Inspektorët doganorë të Shkodrës hasen sot në rezistencën e fermerëve që shesin duhan në lagjen Rus, pasi iu sekuestruan këtyre të fundit mallin e tyre. Situata u përkeqësua kur inspektorët tentuan të largoheshin me duhanin e sekuestruar dhe shitësit hapen derën e automjetit, duke synuar rimarrjen e mallit të tyre. Në mbështetje të inspektorëve të doganave kanë qënë edhe forca të policisë të krimit ekonomik, ku njëri prej tyre, siç duket në pamjet e xhiruara, ka nxjerrë armën e shërbimit, në përpjekje për të ndalur shitësit. Këta të fundit, më pas kanë goditur me pako të duhanit të sekuestruar oficerin e policisë së krimit ekonomik, ndërsa drejtoria e standardeve profesionale pranë policisë së shkodres aktualisht po verifikon veprimet e forcave blu gjatë ndërhyrjes. Kjo është e disata herë që shitësit e duhanit përplasen me doganat dhe me policinë për shkak të aksioneve doganore për sekuestrimin e duhanit të cilësuar si mall pa akcizë.

Prej kohësh, tregtarët ambulantë të duhanit i kërkojnë bashkisë hapjen e një tregu të liçensuar për tregtimin e duhanit që kultivohet nga fermerët e zonës.