KRYEFAQJA » LAJME » Përurohet autostrada Prishtinë- Shkup
Përurohet autostrada Prishtinë- Shkup

Përurohet autostrada Prishtinë- Shkup

Autoritetet kosovare përuruan të dielën autostradën që lidh Prishtinën me Shkupin, pjesë e kordorit midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqdonisë. Duke folur në këtë përurim kryeministri kosovar Isa Mustafa tha se “Sot po përurojmë lidhjen e autostradës “Ibrahim Rugova” me autostradën “Arbër Xhaferi”, që është një vepër e madhe për ne dhe tepër e rëndësishme. Ky udhëkryq këtu konsiderohet si më i madhi në këtë rajon, që lidh Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Na lidh me Prizrenin, Shkupin, Tiranën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo që na gëzon është se janë punë shumë cilësore të cilat po bëhen”, tha kryeministri Mustafa. Autostrada e re ka kushtuar 600 milionë euro dhe është përballuar nga buxheti i shtetit. Ajo është ndërtuar nga firma e njohur Bektel – Enka e cila ka ndërtuar edhe “Rrugën e Kombit” në Shqipëri. Zoti Musfata tha gjithashtu se projektet e infrastrukturës rrugore në Kosovë do të vazhdojnë më tej. “Këtë autostradë, do ta lidhim edhe me autostradën për Gjilan, do të vazhdojmë deri në Podujevë me autostradën “Ibrahim Rugova” dhe do të bëjmë lidhjen për Nish ” tha ai. Projekte të tjera do të jetë zgjerimi i rrugës për Mitrovicë për të arritur edhe atje me autostradë, ndërsa do të rikonstruktohet linja hekurudhore që lidh Hanin e Elezit me Leshakun. Gjatë vitit 2016 pritet fillimi i ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë (kufiri me Kosovën), me qëllim plotësimin e autostradës “Arbën Xhaferi” në pjesën maqedonase.