KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Përurohet Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”
Përurohet Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi"

Përurohet Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”

Në Shkodër është përuruar muzeu më i ri kombëtar në Shqipëri. Eshtë fjala për Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Brenda tij gjendet thesari i dinastisë së Marubëve i cili përmbledh foto të bëra që nga themelimi i studios më 1856 dhe deri në vitin 1989. Arkivi i Fototekës është shumë i pasur dhe përmban rreth 500 mijë fotografi të gjitha prej negativi, në xham dhe në rula film, të përmasave të ndryshme. Kryeministri Edi Rama, i cili gjatë cermonisë solli një histori prekëse të familjes Marubi, tha se foto e saj janë një thesar që tragjikisht është injoruar për dhjetëra e dhjetëra vite.
Familja Marubi përcolli përmes fotografive periudha të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, si gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, Periudhës së Mbretit Zog dhe regjimit komunist. Pietro Marubi lindi në Piacenza të Italisë më 1834 dhe i detyruar nga disa rrethana historike të kohës u zhvendos në Shkodër ku iu përkushtua pasionit të tij për artin e fotografisë. Aktualisht në Fototekën “Marubi” ruhen edhe objekte muzeale, si aparat fotografikë, llamba , blice të ndryshme, perdet e studios, karrige, dhe sende të tjera të studios ku ushtruan aktivitetin përfaqësuesit e familjes Marubi. Gjithashtu ruhen edhe dokumente të rëndësishme rreth aktivitetit të fototekës. Me një vendim të posaçëm qeveria shqiptare vendosi dhënien e statusit të Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.